Geci për Komunikatën e 59’të: Menjëherë kam shkuar në familjen e Thaçit – krejt Shtabin e kemi pyetur cili e keni shkru
Mbrojtja e Hashim Thaçit ka vazhduar me pyetjet ndaj dëshmitarit Fadil Geci, duke u fokusuar tek Komunikata 59.
Geci deklaroi se, menjëherë pas hartimit të komunikatës, ai ka shkuar tek familja e Hashim Thaçit, përkatësisht tek babai i tij.
“Menjëherë kur është shkru komunikata, unë kam shku në familjen e Hashim Thaçit, tek baba i tij. Edhe 20 vjet nuk është kërku falje, derisa e pa që nuk kishte më rrugë tjetër. Ne si familje kemi vuajtur pasojat, me dy të vrarë…”, tha Geci.
Ai përmendi një shkresë zyrtare që kishte bërë në emër të familjes, ku u tha se ishin informuar nga Milaim Zeka për autorësinë e komunikatës.
“Komunikatën 59’të, nuk jemi ndalur. Kemi biseduar me të gjithë anëtarët e Shtabit të UÇK-së, duke pyetur se kush e kishte shkruar. Në vitin 1998, unë kam bërë një shkresë zyrtare në emër të familjes, ku u informuam nga Milaim Zeka që ky person e kishte shkruar komunikatën. Kjo është tashmë e vërtetuar dhe zyrtare me dokumente”, shtoi Geci.
Avokati Luka Misetiq e pyeti nëse Milaim Zeka ishte i afërt me ta, dhe Geci theksoi se Zeka nuk kishte lidhje me të, por ishte mik i Hashim Thaçit.
“Asnjë lidhje nuk kam me Milaim Zekën. Nuk është jarani im, por është jarani i Hashimit dhe i këtyre tjerëve”, tha Geci.
Kur avokati e pyeti nëse Thaçi kishte thënë ndonjë gjë të keqe për familjen Geci, Geci u përgjigj: “Çka mund të jetë më e keqe se të shkruash Komunikatën 59? Çka ka më të rëndë, më vrastare se kjo?”
