Çrregullimet e neuro-zhvillimit në rritje, psikologët kërkojnë kujdes
Neuro-zhvillimi i fëmijëve po bëhet një shqetësim në rritje për psikologët, pasi gjithnjë e më shumë fëmijë po diagnostikohen me probleme në gjuhë, komunikim, ndërveprim social dhe çrregullime të spektrit të autizmit. Profesoresha Migena Kika, theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme për përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve me çrregullime neuro-zhvillimore. Ajo gjithashtu rekomandoi që fëmijët nën moshën dy vjeç të mos ekspozohen para ekraneve, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Akademisë Amerikane të Pediatrisë.
Psikologu Musa Musai shprehu shqetësimin për përdorimin e tepruar të teknologjisë nga të rinjtë, duke theksuar se prindërit duhet të jenë më të vëmendshëm për aktivitetet online të fëmijëve të tyre, pasi teknologjia mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin mendor. Ndërkohë, Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, apeloi për një përfshirje më të madhe të prindërve dhe profesionistëve në monitorimin e zhvillimit të fëmijëve, duke theksuar se njohja e botës së tyre është një hap i rëndësishëm për parandalimin e problemeve potenciale.
