Rënia e numrit të atyre që deklarohen si malazezë në Mal të Zi, Filipoviq: Ndikoi fushata serbe dhe Kisha Ortodokse

Në Mal të Zi, 41.1% e qytetarëve u deklaruan si malazezë dhe 32.9% si serbë, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të kryer në dhjetor 2023 nga Drejtoria e Statistikave e Malit të Zi (MONSTAT). Këto të dhëna tregojnë një rënie të numrit të atyre që identifikohen si malazezë në krahasim me regjistrimin e vitit 2011, kur ata përbënin 45%, ndërsa serbët ishin 29%.

Sa i përket gjuhës, 36.2% e popullsisë deklaruan se flasin gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe.

Analisti politik Ljubomir Filipoviq e lidh këtë rënie të identitetit malazez me një fushatë të drejtuar nga Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe, që, sipas tij, synon dobësimin e këtij identiteti kombëtar. Ai vëren me shqetësim se që nga viti 1991, kur 62% e popullsisë identifikoheshin si malazezë, ky numër ka pësuar rënie të vazhdueshme.

Sipas të dhënave mbi përkatësinë fetare, 71.1% e qytetarëve të Malit të Zi janë ortodoksë, 20% myslimanë dhe 3.2% katolikë. Nga këndvështrimi etnik, boshnjakët përbëjnë 9.45% të popullsisë, shqiptarët 4.97%, rusët 2%, dhe 1.6% janë myslimanë etnikë. Ndërkaq, 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan përkatësinë e tyre.

Serbia, së bashku me Rusinë dhe Kishën Ortodokse Serbe, kanë ushtruar ndikim politik dhe kulturor në Malin e Zi, çka është parë si kërcënim për stabilitetin dhe integrimin evropian të vendit. Ky shqetësim u shtua me hyrjen e partisë proruse Fronti Demokratik (DF) në qeveri pas zgjedhjeve të fundit, e cila ka ngjallur kritika nga përfaqësuesit perëndimorë dhe nga Bashkimi Evropian për rrezikimin e rrugës strategjike të vendit drejt BE-së.

Go to TOP