Besa fiton ndeshjen interesante me Vushtrrinë, Kastrioti pa telashe ndaj Prishtinës

Portierja Selvije Mullakadrija ka shkëlqyer me pritje të shumta për ta udhëhequr Besën e Pejës drejt fitores së vështirë ndaj Vushtrrisë. Ndeshja e së dielës, që u zhvillua në Pejë, i takoi xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Në pjesën e parë skuadra pejane ishte vazhdimisht në epërsi. Vushtrria barazoi në 14:14 në minutën e 34-t. Më pas u luajt ndeshje e fortë dhe e barabartë deri në fund. Besa kishte epërsi 25:23 në minutën e 57-të. Vushtrria shënoi përmes Fatime Bashollit dhe Gentiana Bashollit për 25:25. Në minutën e 59-të, Edona Radoniqi e shënoi golin e fitores 26:25 për Besën.

Por ishte Mullakadrija që u dallua gjatë gjithë takimit.

Qëndresa Berisha i shënoi 7 gola për Besën. Nga gjashtë i kishin Adelina Berisha e Learta Gashi, ndërsa katër i realizoi Edona Radoniqi.

Te Vushtrria tetë gola i shënoi Gentiana Basholli. Gjashtë i kishte Burneta Rama, katër Albulena Kelmendi e tri Qëndresa Tërstena.

Besa tani i ka tri fitore e një humbje. Vushtrria mbetet me një fitore, ndërsa i ka edhe, katër humbje.

Po të dielën, Kastrioti fitojë 47:30 ndaj Prishtinës. Bintou Oulare i shënoi 12 gola për skuadrën ferizajase. Eduarta Kurteshi i kishte nëntë gola për Prishtinën.

Kastrioti ka tri fitore e një humbje. Prishtina ka humbur katër ndeshjet e deritashme. /Kosova.info/


Go to TOP