SBAShK përfaqësohet në tryezë diskutimi në Portugali
Përfaqësues të SBAShK-ut kanë marrë pjesë në tryezën me temë “Sindikatat mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”, në Lisbonë të Portugalisë.
I organizuar nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës, në këtë tryezë mori pjesë nënkryetarja, Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri.
“Ata do të prezantohen para pjesëmarrësve me përvojat nga e kaluara jo shumë e largët, që do të kthej kujtesën te kolegët sindikalistë nga e tërë Evropa për vitet e vështira të Kosovës dhe për zhvendosjen biblike të popullatës për shkak të dhunës, vrasjeve dhe tmerrit që kishte krijuar makineria vrastare e pushtuesit. Përfaqësuesit e SBAShK do të tregojnë se si sindikata që përfaqësojnë e mbështetur nga Internacionalja Botërore e Arsimit dhe sindikatat simotra nga disa vende mike, arritën të organizojnë në mirëkuptim me shtetin shqiptar dhe institucionet në Maqedoni të Veriut e Mal të Zi, mësimin për gjithë fëmijët e Kosovës, që ishin zhvendosur bashkë me familjet e tyre”, thuhet në njoftim për media.
Pjesëmarrësit e kësaj tryeze tematike janë zotuar se do të përgatitin e aprovojnë një Plan të përbashkët veprimi për barazinë dhe gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor të shteteve të tyre për t’ua lehtësuar dhembjen emigrantëve dhe refugjatëve. /Kosova.info/

