Pagesa e premiumit shëndetësor kur…?

Shkruan: Naza KRASNIQI

Kosova veç e ka të miratuar Ligjin për Sigurimin Shëndetësor i shpallur me dekretin Nr. DL-018-2014, datë 25.04.2014, në bazë të të cilit është krijuar edhe Fondi për Sigurim Shëndetësor, i cili fond ka të zgjedhur edhe bordin, kryesues i të cilit është Ministri i Shëndetësisë. Ky bord ka të zgjedhur edhe strukturën organizative të hierarkisë së këtij fondi dhe funksionon sipas Ligjit për Sigurimin Shëndetësor.

Projektligjin e miratuar në qeveri ende nuk e kam lexuar, por edhe ai projektligj është i ngjashëm me ligjin aktual me disa ndërhyrje.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë, kur është data dhe viti i fillimit të zbatimit të pagesës së premiumit dhe ofrimi i shërbimit për qytetarët për sigurimin shëndetësor.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vetëdijshëm, se para fillimit të pagesës së premiumit qeveria duhet të ndajë fondin për mbulimin e kategorive, që nuk janë të mbuluara, si: pensionistët, të papunët dhe studentët. Janë disa kategori, që shteti duhet t’ua mbuloj koston për të fituar sigurimin shëndetësor, gjithashtu prima e pagesës ju merret qytetarëve për një periudhë (ndoshta 6 muaj) para se të fillohet me ofrimin e shërbimit shëndetësor, të gjitha këto kanë kosto dhe duhet kohë.

Ministri i Shëndetësisë z. Vitia, e keni obligim moral si politikan dhe udhëheqës i këtij dikasteri, që publikisht të na njoftoni dhe të na sqaroni edhe planin e zbatimit, si do të realizohet i gjithë procesi i zbatueshmërsië së Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, e të mos veprohet siç kanë vepruar ish kolegët e tu në të kaluarën me ligjin e Sigurimit Shëndetësor, e kanë miratuar, është krijuar fondin e sigurimit, por deri tash zero rezultat sa i përket shërbimeve të sigurimit shëndetësor.

Promovimi për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor nuk është i nevojshëm dhe as sukses, por zbatimi i pagesës së premiumit dhe fillimin e shërbimeve për mbulimin e sigurimeve që një person paguan për shpenzime mjekësore.

Zbatimi i plotë i Ligjit është sukses.


Go to TOP