Gashi: Amerika e mbajti fjalën, mbështetja për Kosovën që nga vizita historike e senatorit Dole në 1990

Anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK-së, Alush Gashi, kujtoi vizitën historike të Senatorit Robert Dole në Kosovë më 29 gusht 1990, e cila shënoi një kthesë të rëndësishme në mbështetjen ndërkombëtare për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

“Në atë kohë, senatorët amerikanë, të udhëhequr nga Dole, dëgjuan dëshmi nga udhëheqës politikë dhe aktivistë, përfshirë Presidentin Rugova, Adem Demaçin dhe Fehmi Aganin, rreth dhunës serbe dhe shkatërrimit të institucioneve vetëqeverisëse”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në facebook.

Në deklaratën e tij në Prishtinë, Dole theksoi: “As kush nuk guxon të ndëshkojë protestuesit paqësor… nëse Serbia përdor forcë, me forcë do ndiqet nga Kosova.”

Gashi vlerësoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Amerika mbajti premtimin për të mbështetur Kosovën në luftën e saj për liri dhe të drejta të njeriut.

“Bota është dëshmitare e zhvillimeve gjatë këtyre tri dekadave: Amerika mbajti fjalën,” shtoi Gashi, duke e cilësuar Senatorin Dole si një nga figurat më të dashura të luftës dhe paqes së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP