Resuli: Ndryshimet në Shërbimin Veterinar po rrezikojnë të ardhmen e profesionit

I pari i veterinerëve shqiptarë, Ervin Resuli ka ngritur alarmin mbi gjendjen e rënduar të shërbimit veterinar në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një krizë identiteti të thellë.

“Shërbimi veterinar ka qenë nën ndikimin e interesave të ngushta, që kanë penguar përparimin e tij për vite me radhë,” thekson Resuli, duke nënvizuar se ndryshimet e bëra në ligjin e shëndetit të kafshëve në vitin 2020 e kanë kthyer vendin pas në krahasim me standardet evropiane.

Resuli kritikon shkrirjen e Drejtorisë Veterinare dhe krijimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), të cilin e cilëson si një strukturë të paqëndrueshme dhe të mbështetur mbi emërime të bazuara në lidhje personale.

“Ky model është më shumë një lojë politike sesa një zgjidhje funksionale,” thotë ai, duke shtuar se këto ndërhyrje eksperimentale kanë rrezikuar të ardhmen e sektorit veterinar.

Ai bën thirrje për përfshirjen e profesionistëve të rinj në procesin e ndryshimeve ligjore dhe për ndërtimin e një shërbimi veterinar të qëndrueshëm e të respektuar, duke ruajtur neutralitetin politik dhe shmangur ndikimin e interesave të ngushta.

“Është koha për të ndrequr gabimet dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për profesionin,” përfundon Resuli. /Kosova.info/


Go to TOP