Presidenca: Në asnjë vend nuk i merret telefoni për skanim kreut të shtetit

Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut ka konstatuar se shërbimet përgjegjëse për kontrollet e sigurisë në aeroportin e Shkupit kanë vepruar në mënyrë profesionale, duke iu përmbajtur rregullave ndërkombëtare në fuqi. Ndërkohë, nga Zyra e Presidencës kanë thënë se Maqedonia e Veriut ka shkelur rregullat ndërkombëtare dhe se në asnjë aeroport kreut të një shteti nuk i kërkohet dorëzimi i telefonit për skanim.

Presidenca e Kosovës ka reaguar pas publikimit të raportit nga Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut, duke këmbëngulur se autoritetet në Shkup kanë shkelur rregullat ndërkombëtare.

Nga Presidenca kanë thënë se në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim.

“Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta  personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

“Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çanten e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit  që i del përpara kreut të një shteti  dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet tutje në reagim.

Presidenca ka njoftuar gjithashtu se pas këtij incidenti, e para e shtetit nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit.

“Pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Sipas raportit të AAC-së, personeli i sigurisë në aeroport nuk ka lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedurave “edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin”, thuhet në njoftim të AAC-së në lidhje me incidentin me presidenten Vjosa Osmani.

“Gjatë inspektimit fillestar, u konstatua se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollin e sigurisë, në kuadër të përgjegjësive të tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe duke ndjekur rregullat e vendosura nga rregullorja ndërkombëtare, duke mos lejuar shmangien e standardeve dhe procedurave edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin. Refuzimi i kryerjes së kontrollit standard të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti komandues refuzoi të pranonte pasagjerë në avion pa kontroll të paracaktuar të sigurisë”, thuhet në raportin e AAC-së.

Sipas këtij raporti, nëse personeli në TAV Maqedoni do të vepronte ndryshe nga rregullat e zbatuara dhe do të lejonte lëshime dhe shmangie të procedurave të përcaktuara, do të përballej me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si autoritet përgjegjës për kryerjen e inspektimit në institucionin e tyre.

“Duke pasur parasysh faktin se këto janë standarde ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht, nëse dikush dyshon në besueshmërinë e tyre, ne rekomandojmë që të zbatojë të njëjtën procedurë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane në mënyrë që të bindet në zbatimin e tyre. Si organ i pavarur rregullator, në lidhje me këtë ngjarje fatkeqe, dëshirojmë të distancohemi nga trazirat politike dhe sinqerisht na vjen keq që në vend të një rezultati profesional nga i cili do të nxirren mësime dhe do të merren masat e duhura për ta zbutur dhe shmangur atë në në të ardhmen, jemi dëshmitarë të tentativave për nxjerrjen e pikëve politike dhe shtrembërimin e realitetit për këtë ndodhi”, thuhet tutje në raportin e ACC-së.

Go to TOP