Skandal në Aeroportin e Prishtinës: Reagime të ashpra dhe histori trishtuese të shqiptaro-amerikanes Teuta Sinani

Milaim Zeka reagon ndaj abuzimit nga polici në Aeroport: “hallall 100 shpulla, po jo fyerjet!”

Pas publikimit të një skandali që përfshinte trajtimin abuziv nga një polic në Aeroportin e Prishtinës, gazetari Milaim Zeka ka marrë shumë reagime mbështetëse nga qytetarët. Një incident i veçantë që tërhoqi vëmendjen është historia trishtuese e shqiptaro-amerikanes Teuta Sinani, e cila përjetoi një trajtim të ngjashëm të papranueshëm në një stacion policie në Prishtinë.

Sipas Teuta Sinanit, para gjashtë vitesh ajo kishte shkuar në një stacion policie në Prishtinë për të marrë një letër dënimi të humbur. Duke qenë se dënimi ishte bërë kur ajo kishte përdorur patentën amerikane, një polic në sportel e refuzoi kërkesën e saj, duke e akuzuar për gënjeshtare dhe e detyroi të largohej me fyerje. Në përpjekje për të zgjidhur situatën, Teuta kërkoi ndihmë nga disa policë të tjerë në korridor, por përfundoi duke u arrestuar dhe trajtuar në mënyrë të padrejtë.

Teuta përshkruan se si një grup policësh, përfshirë dy femra, e fyenin dhe e trajtonin brutalisht. Ata i kërkuan të pranonte se kishte gënjyer dhe kur ajo refuzoi, e kërcënuan dhe i shkatërruan telefonin për të fshirë regjistrimin e incidentit. Përkundër insistimit të saj për të drejtën e një avokati dhe shikimin e kamerave të sigurisë, ajo u detyrua të pranojë akuzat false për të shmangur burgosjen.

Pas një ore, një zyrtar më i lartë policie ndërhyri dhe, pas një inspektimi të rastit, u konstatua që Teuta kishte të drejtë. Megjithatë, për të mbuluar gabimin, ajo u gjobit me 750 euro për “mosrespektim të rregullave policore.” Trauma e përjetuar nga ky incident e la atë me probleme psikologjike që kërkuan trajtim për një vit.

Reagimi i Milaim Zekës ndaj skandalit në aeroport përfshinte edhe këtë histori të Teuta Sinanit, duke theksuar se sjelljet abuzive nga autoritetet janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin e duhur. “Hallall 100 shpulla, po jo fyerjet që mi bëri para 200-300 vetave, si dhe vajzën që ma bëri të qajë, duke e traumatizuar,” tha Zeka. Ai i bëri thirrje IPK-së dhe organeve të tjera përkatëse të ndërhyjnë për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo formë të abuzimit të pushtetit nga zyrtarët e tyre./kosova.info

Go to TOP