Osmani nga Londra: Më vjen keq që s`mund ta takojë kryediplomaten japoneze

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje që nuk është në Prishtinë për ta pritur në takim ministren e Jashtme të Japonisë, cc e cila sot nis zyrtarisht vizitën në Kosovë. Megjithatë ajo thotë se ministren Yoko e ka takuar muajin e kaluar, ku edhe është konfirmuar mbështetje e Japonisë për vendin tonë.

“Ministrja e Jashtme e Japonisë, KamikawaYoko, fillon sot vizitën e saj në Kosovë, e më vjen keq që nuk mund të jem atje për shkak të vizitës sime në Mbretërinë e Bashkuar. Por, vetëm muajin e kaluar, pata kënaqësinë ta takoj në Samitin e Grave Lidere në Itali. Ne patëm një diskutim të gjatë për aleancën e fortë ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, një partneritet që jemi të përkushtuar ta forcojmë”, ka shkruar Osmani në rrjetin shoqëror X.

Kosova, siç thotë ajo, e vlerëson thellësisht mbështetjen e Japonisë gjatë viteve dhe pret bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen.

Ndryshe, ministrja Yoko, sot viziton Kosovën në 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Ajo përmes një mesazhi para se të vijë në Kosovë, është shprehur e kënaqur që mund ta vizitojë Kosovën si ministre e Jashtme e Japonisë për herë të parë në këtë vit historik që shënon 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Japonisë dhe Kosovës.

Kryediplomatja japoneze do të ketë takime me kryeministrin Albin Kurti si dhe me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Gjithashtu do të ketë një takim kortezie me ish-presidenten Atifete Jahjaga. /Kosova.info/

Go to TOP