Bajrami: KEK me kontratë të re një burimore, 16 herë negocim me kompaninë e njëjtë – Kurti e Rizvanolli të flasin
Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik KEK’u ka nënshkruar kontratën e 16’të njëburimore me të njëjtën kompani.
“Vazhdon korrupcioni me kontrata njëburimore. Sot, me 3 qershor, 2024 sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Korporta Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratën e 16-të njëburimore/pa publikim të njoftimit për kontratë me të njëjtën kompani. Pra negocim direkt 16 herë me kompaninë e njëjtë.”
Ajo ka shkruar se të premten me të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë prej 448 mijë e 251 euro, ndërsa kontrata tjetër që është publikuar sot është në vlerë prej 443 mijë e 638 euro.
“Derisa të premten me po të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë 448, 251.13 Euro, sot kontrata tjetër që u publikua nga KRPP-ja është në vlerë prej 443.638,00. Dmth. për dy muaj (qershor-korrik) shërbime të sigurimit një kompani me kontratë njëburimore merr afër 900 mijë euro.”
