Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e një gruaje në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt-Departamenti i Krimeve të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë  dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 12 Prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën ”Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur disa herë me armë plumba në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të miturit D.C (vëllai i të ndjerës) duke e plagosur në krahë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu gjyqtari ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Është raportuar se i dyshuari ka qenë ish-bashkëshorti i viktimës dhe se ata e kanë një fëmijë.

Arma e zjarrit është konfiskuar prej Policisë së Kosovës.

Zyrtarë të lartë shtetërorë e kanë dënuar ashpër vrasjen dhe kanë bërë thirrje për drejtësi.

Nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 56 gra. /Kosova.info/

Go to TOP