Ish drejtori në komunën e Prishtinës thotë se ende nuk e ka pranuar vendimin për shkarkim

Iliri Musliu, ish drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, që u shkarkua nga kryetari Përparim Rama, ka thënë se ka parë që ka pasur presion politik, i cili më pas “e ka bërë kryetarin Rama që të shkruaj shumë të pasakta”.

“Unë e shoh që ka pasur një presion politik, masnej ky presion politik e ka bërë kryetarin Rama që të shkruaj shumë të pasakta aty. Psh e ka përmendur një taskforcë- kurrë për menaxhimin e mbeturinave s’ka pasë… Pastaj tha e kemi rrit buxhetin e ndërmarrjes “Pastrimi”, e kemi rrit ne me rregulloren e re”, tha ai në “Frontal” të T7.

Vendimin për shkarkimin e tij, Musliu e quajti “puro politik”, derisa shtoi se është dashur të ndiqen disa hapa njerëzorë.

“Këtu po kuptohet që vendimi është puro politik, por pavarësisht që është politik, unë mendoj që fillimisht është dashtë me u ndjek disa hapa njerëzorë, me u njoftu unë si drejtor për arsye se kemi pasur dy vite që kemi bashkëpunuar ngushtë, po e them me sinqeritetin më të madh. Në të njëjtën kohë kemi qenë shumë fer dhe korrekt, 100 për qind kam qenë lojal në misionin për të transformuar kryeqytetin.”

Ai tha se ende nuk i është komunikuar vendimi për shkarkimin e tij.

“Jo, jo, është postim në Facebook. Unë kurgjë s’kam pranuar, s’kam pranuar vendimin. E vërteta është që i kam shënuar shefit të personelit, i kam thënë a e marr me postë vendimin, a me duhet me ardhë me pranu fizikisht, a më duhet me i marr senet prej zyrës, a më duhet me dorëzu, dmth si bëhet kjo. Më tha më vjen keq është rasti i parë, s’kam pasë situata të tilla, ju njoftojmë”, tha Musliu.

Ai tha se është “zhgënjyese që mënyra s’ka qenë aspak njerëzore”.

Go to TOP