BE kërkon shpjegime nga Kosova për vendimin e BQK-së
Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga autoritete kosovare shpjegime lidhur me ndalesën e përdorimit të valutës serbe, dinarit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së Peter Stano, duke kërkuar sërish nga Kosova e Serbia që të gjitha çështjet e hapura t’i zgjidhin në kuadër të procesit të dialogut.
“Jemi ende duke analizuar dhe kërkuar sqarime për vendimin, arsyet, motivet si dhe implikimet e mundshme. Por në përgjithësi Kosova dhe Serbia pritet të shmangin veprimet e pakoordinuara të cilat nuk janë të favorshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe që mund të kenë ndikim mjaft negativ në stabilitetin në terren. Dhe ne nxisim dhe thërrasim të dyja palët që ta trajtojnë këtë temë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE”, porositi zëdhënësi i Brukselit Peter Stano.
Ndryshe Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, sipas së cilës, nga 1 shkurti i këtij viti, monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve është euro.
