Shitet mjaltë e paverifikuar për dobësim, kush mban përgjegjësi për kundërefektet?
Mjalti, i ëmbël siç është, i ka dobitë e veta. Si duket bletët punëtore të rrjeteve sociale po u rrinë gati “viktimave” në rrjet që të reklamojnë mjaltë për çdo “dhimbje”.
Mjaltë për dobësim? Patjetër! Mjaltë për shtim peshe? Edhe kjo bëhet. Mjaltë për dallavere? Eh, këtu ndalemi.
Bletët punëtore të rrjetit dallaveret i bëjnë duke abuzuar me punën e mijëra bletëve, nga të cilat është prodhuar mjalti. Të paktën, nëse kjo që po shitet është vërtetë mjaltë.
Jo thjeshtë mjaltë, por me 13 përbërës tjerë në to – faqja në “Facebook”, “Mjalta natyrale – humb peshë shpejt dhe lehtë”, reklamon produktin, i cili sipas tyre, është 100 për qind natyral, efektiv e me garanci, mirëpo pa asnjë recetë apo licencë për të.
Sipas tyre, mjalti përmban përbërësit si: Matcha, Kombucha, Fara liri, Chia sameln, Bilboa, bisht qershie, drithëra, koriandër, fiq, shegë, bari të urisë, fenchel (finok), por përsëri, ata nuk kanë asnjë përshkrim apo licencë të produktit. Thjeshtë fjalë goje.
Në bisedën e Kiksit me mjaltin çudibërës, argumenti më i fortë i personit që ndodhet prapa kësaj faqeje është “edhe unë vetë e marr” dhe “edhe fëmijët 12 vjeç e marrin”.
Por kur Kiksi i thotë se kush merr përgjegjësinë në rast se ne sëmuremi, ata thonë “përgjigjemi neve”.
Me vetëm ÇMIMI, kjo faqe në Facebook vazhdon të bëjë shitjen e këtij produkti dhe ta promovojë atë, duke i publikuar fotografitë para dhe pas të disa personave, për të cilët ata pretendojnë se janë klientët e tyre.
Ndonëse faqe të tilla ka me shumicë, Kiksi me një kërkim të thjeshtë me fjalën “mjaltë” në Facebook, gjeti dhjetëra faqe.
Fillimisht u futëm në disa grupe dhe komunitete brenda kësaj platforme, që t’i pyesim direkt pjesëtarët e tyre nëse ka pasur efekt mjalti për shtim e humbje peshe.
Dhe përgjigjet ishin, si efektet e mjaltës që po shitet – të çuditshme.
Në grupin “Nënat dhe Fëmijët”, shitësit online na sulmuan, duke promovuar produktet e tyre në postimin tonë. Përveç atyre që u përgjigjën shkurt me po ose jo, një ndër ta tha se tek ajo kishin efekt “produktet e snepit”.
Në grupin “Familja dhe Shëndeti”, postimit të Kiksit iu përgjigjen vetëm dy persona. Njëri na tha që t’i shkruajmë mesazh e të flasim për produktet, ndërsa tjetri na tha se ia vlen të provohet.
Me të marrë këto përgjigje, Kiksi filloi t’iu shkruajë faqeve të gjetura në Facebook.
Katër prej tyre, pas kërkesës sonë për më shumë informata, u ndalën së përgjigjuri.
A thua vallë e kanë kuptuar se janë gazetarët ata që po iu shkruajnë?
