Bandat sulmojnë një spital në Haiti, marrin peng gra dhe fëmijë

Një bandë e armatosur rëndë sulmoi një spital në Haiti dhe mori peng gra, fëmijë dhe të porsalindur, sipas drejtorit të qendrës mjekësore, i cili kërkoi ndihmë përmes rrjeteve sociale.

Jose Ulysse, themelues dhe drejtor i Qendrës Spitalore “Fontaine” në lagjen e varfër Cite Soleil në kryeqytetin Port-au-Prince, konfirmoi incidentin në një shkëmbim të shkurtër mesazhi me Associated Press.

“Jemi në vështirësi të mëdha”, tha ai.

Ulysse tha në rrjetet sociale se qindra pacientë në spital u morën peng, por numri nuk mund të konfirmohej menjëherë.

Nuk kishte detaje të mëtejshme dhe nuk ishte e qartë pse sulmuesit mund të kishin marrë peng pacientët.

Spitali konsiderohet si një oazë dhe një mjet shpëtimi në një komunitet të pushtuar nga bandat që kanë lëshuar sulme gjithnjë e më të dhunshme kundër njëri-tjetrit, me civilë që jetojnë në Cite Soleil të përdhunuar, rrahur ose vrarë në mënyrë rutinore.

Ulysse identifikoi përgjegjësit si anëtarë të bandës së Bruklinit, të udhëhequr nga Gabriel Jean-Pierre, i njohur më mirë si “Ti Gabriel”.

Jean-Pierre është gjithashtu udhëheqësi i një aleance të fuqishme bandash të njohur si G-Pep, një nga dy koalicionet rivale në Haiti.

Banda e Bruklinit ka rreth 200 anëtarë dhe kontrollon disa komunitete brenda Cite Soleil, përfshirë Bruklinin. Ata janë të përfshirë në zhvatje, rrëmbim mallrash dhe dhunë të përgjithshme kundër civilëve, sipas një raporti të fundit të OKB-së.

“Koalicioni G-Pep dhe aleatët e tij përforcuan fuqishëm bashkëpunimin dhe diversifikuan të ardhurat e tyre, veçanërisht duke kryer rrëmbime për shpërblim, gjë që u ka mundësuar atyre të forcojnë kapacitetin e tyre luftarak”, thuhet në raport.

Kur Associated Press vizitoi Qendrën Spitalore “Fontaine” në fillim të këtij viti, Ulysse tha në një intervistë se bandat e kishin shënjestruar atë personalisht dy herë më parë.

Bandat në të gjithë Haitin kanë vazhduar të forcohen që nga vrasja e presidentit Jovenel Moise në korrik 2021 dhe numri i rrëmbimeve dhe vrasjeve vazhdon të rritet.

Në fillim të këtij viti, të paktën 20 anëtarë të armatosur të bandës hynë në një spital të drejtuar nga Mjekët pa Kufij dhe rrëmbyen një pacient nga një sallë operacioni.

Go to TOP