Abbas i kërkon Blinkenit për një armëpushim në Gaza

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, bëri një vizitë të paparalajmëruar në Bregun Perëndimor të pushtuar të dielën, ku presidenti palestinez Mahmoud Abbas i kërkoi atij që ta bindte Izraelin të binte dakord për një armëpushim, pasi të tjerë njerëz vdiqën gjatë një sulmi në një kamp refugjatësh gjatë natës.

Një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi tha më herët të dielën se ushtria izraelite kishte goditur kampin e refugjatëve Maghazi gjatë natës, duke vrarë të paktën 47 njerëz.

Në një sulm të veçantë, 21 palestinezë nga një familje, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në sulmet izraelite që synonin Gazën gjatë natës, tha Ministria e Shëndetësisë.

“Ne kërkojmë që t’i ndaloni ata që të kryejnë këto krime menjëherë,” i tha Abbas Blinken, duke kërkuar një “armëpushim të menjëhershëm” nga Izraeli.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar luftën e gjenocidit dhe shkatërrimit, të cilës populli ynë palestinez po i nënshtrohet në Gaza në duart e makinerisë së luftës izraelite, pa marrë parasysh rregullat e së drejtës ndërkombëtare”, citoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA të thoshte Abbas.

Ministrat e Jashtëm nga Katari, Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u takuan me Blinken në Aman të shtunën dhe gjithashtu kërkuan që Uashingtoni të bindë Izraelin që të pajtohet me një armëpushim.

Por Blinken e ka hedhur poshtë idenë, duke thënë se nga kjo do të përfitonte vetëm Hamasi, duke e lejuar atë të rigrupohet dhe të sulmojë përsëri. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion për pauza të lokalizuara në luftime për të lejuar ndihmën humanitare dhe që njerëzit të largohen nga Rripi i Gazës me popullsi të dendur.

Go to TOP