Dhoma e Përfaqësuesve miraton 14.5 miliardë dollarë ndihma për Izraelin

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten një paketë ndihme ushtarake prej gati 14.5 miliardë dollarësh për Izraelin, një mbështetje e fuqishme amerikane ndaj luftës me Hamasin, por edhe një qasje partiake nga kryetari i ri, Mike Johnson, e cila përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për demokratët dhe presidentin Joe Biden.

Ndryshe nga e kaluara, paketa e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kryesuar nga Johnson-i, kërkon që ndihma urgjente të kompensohet përmes shkurtimit të shpenzimeve qeveritare diku tjetër.

Presidenti Biden ka thënë se do t’i vërë veton projektligjit, i cili u miratua me 226 vota pro dhe 196 kundër, me 12 demokratë që iu bashkuan shumicës republikane. Dy republikanë votuan kundër.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se paketa republikane do t’i sigurojë Izraelit ndihmën e nevojshme për t’u mbrojtur, liruar pengjet e marra nga Hamasi dhe për të çrrënjosur grupin militant palestinez. Ai tha se ligjvënësit po punojnë për të siguruar investime të përgjegjshme dhe zvogëluar madhësinë e qeverisë federale.

Demokratët thanë se kjo qasje do ta vononte ndihmën për Izraelin. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, ka paralajmëruar se projektligji “jashtëzakonisht joserioz” nuk ka shanse të miratohet në Senat.

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh, ku përfshihen ndihmat për Izraelin dhe Ukrainën si dhe fonde për të rritur konkurrencën me Kinën në rajonin e Azi-Paqësorit, si dhe fonde për rritjen e sigurisë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Johnson ka thënë se dëshiron t’i trajtojë çështjet ndarazi, ndërsa do të shqyrtojë më pas ndihmat për Ukrainën dhe çështjen e sigurisë së kufirit. Në radhët e republikanëve janë shtuar zërat kundër ndihmave për Kievin.

Duke paralajmëruar për veton, Shtëpia e Bardhë theksoi se qasja e Johnson-it “dështon të përmbushë nevojat urgjente të momentit” dhe se do të krijonte një rast të rrezikshëm duke kërkuar që fondet urgjente të vijnë nga shkurtime diku tjetër.

Shifra në projektligjin e miratuar nga republikanët është e ngjashme me shumën që ka kërkuar Biden-i, por Shtëpia e Bardhë tha se mospërfshirja e ndihmës humanitare për Gazën është “një gabim i rëndë” ndërsa kriza thellohet.

“Ky projektligj bie ndesh me qasjen normale, qasjen dypartiake për miratimin e ndihmës urgjente për sigurinë kombëtare”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Qëndrimi i republikanëve “do të sillte ndërlikime shkatërrimtare për sigurinë tonë gjatë viteve të ardhshme”, thuhet më tej në deklaratë.

Republikanët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Që të bëhet ligj, një projekt-propozim duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti Biden.

Go to TOP