Arrestohen dy vetë në kufi me Serbinë për 182 kilogramë kanabis

Të martën rreth orës 21:35 janë arrestuar dy vetë pasi që të njëjtit kanë tentuar t’i fusin 182 kilogramë kanabis nga Serbia në Kosovës.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, vlera e kësaj sasie të susbstancës narkotike arrin shumën rreth 400 mijë euro.

“Policia e Kosovës, si rezultat i koordinimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të drejtorive policore, në kuadër të saj ka realizuar me sukses një ndërhyrje operative-hetimore e cila ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve si dhe kapjen e një sasie të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në komunikatën e PK-së.

“Me datën 24.10.2023 rreth orës 21:35, pas informacioneve të shkëmbyera nga Njësia e Task Forcës e Policisë Kufitare – Lindje me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në zonën kufitare RKS/SRB është ndaluar vetura e dyshuar me targa vendore e cila pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, ku në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990), për transportim me narkotikë si dhe janë sekuestruar narkotikë në sasi prej 182 kilogramë të llojit marihuanë, ku vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400.000 (katërqind mijë) euro”, shkruan më tej.

Si prova materiale relevante për rastin janë sekuestruar një veturë dhe një kombi me targa vendore të cilat janë përdorur në rast si dhe dy telefona celularë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor prej 48-orësh, ndërsa rasti është iniciuar si “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”.

Go to TOP