Grabitje si në filma: Hajnat e armatosur terrorizojnë mirëmbajtësen e një shtëpie në Veternik, e lidhin për karrige

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Ka plot raste kur viktimat hasin në hajnat që kanë hyrë brenda shtëpive, duke u ballafaquar kështu direkt me rrezikun.

Një rast i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën ‘Malo Gami’ në Veternik të Prishtinës, ku dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë për të kryer vjedhje në një shtëpi.

Burimet kanë bërë me dije se brenda shtëpisë ndodhej gruaja e cila është ndihmëse në punët e shtëpisë, e që u përball direkt me hajnat të cilët në mënyrë të kamufluar arritën të futen brenda.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, dy të dyshuarit fillimisht janë prezantuar si punonjës të një kompanie private dhe se atje kishin shkuar për të montuar një pajisje elektroshtëpiake.

E me të hyrë brenda, viktima ka pohuar se të dyshuarit e kanë lidhur për karrige dhe e ia kanë drejtuar armën në kokë.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të cilësohet ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të identifikohen dhe të kapen të dyshuarit.

Go to TOP