LVV mbledh strukturat, diskutohet për çështjet politike në vend
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të dielën mbledhje me Qendrat e saj si dhe mbledhjen e kryesisë, në të cilat është diskutuar për çështje politike dhe organizative në prag të fillimit të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
“Nën drejtimin e kryetarit, njëherazi Kryeministrit, Albin Kurti, Sekretarit Organizativ, Alim Rama, dhe Koordinatorit për Qendra, Valon Hoti, në takimin me qendra ku të pranishëm ishin të gjithë përfaqësuesit tanë nëpër komuna të Kosovës u fol për situatën politike në vend dhe për përgatitjet që kemi bërë për fillimin e sesionit vjeshtor të punës. Ky do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket agjendës legjislative. Do të kalojnë ligje të rëndësishme e që përforcojnë reformën që kemi filluar në ekonomi dhe drejtësi, por hapësirë do të ketë edhe për propozime të tjera që vijnë nga qytetet tjera të vendit e që kanë rëndësi për zhvillimin dhe progresin tonë të gjithmbarshëm”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Tutje në njoftim thuhet se Qeveria e drejtuar nga ky subjekt politik do të vazhdojë ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe krijimin e parakushteve për paqe dhe siguri në secilën pjesë të Republikës, por edhe politikat zhvillimore që krijojnë mundësi dhe vende të reja pune në Kosovë.
“Në planin e dialogut do të insistojmë që të respektohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës. Kurse në planin e mbështetjes për pakicat kombëtare dhe jo kombëtare do të vazhdojmë ta ndihmojmë komunitetin shqiptar në Luginë siç kemi bërë deri më tani, duke ndihmuar njëherit edhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë siç bëmë së fundi me fondin 3 milionësh për mbështetjen e organizatave, ndërmarrjeve, që drejtohen nga këto komunitete”, thuhet tutje në njoftimin e LVV-së.
Pas këtyre takimeve LVV ka bërë të ditur se për çështje të nivelit lokal u theksua rëndësia për votimin e faljes së tatimit në pronë deri në 100 euro si masë e qeverisë së këtij subjekti.
“Kjo ka afat deri me 15 shtator të këtij viti andaj duhet iniciuar seanca të jashtëzakonshme komunale që kjo çështje të votohet. Te çështjet organizative u fol për punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë, në fuqizimin e qendrave tona, në shtimin e anëtarësimeve të reja, në mënyrë që kësisoj shumë shpejtë t’i kompletojmë strukturat tona për të garuar në secilin qytet të Republikës”, thuhet në njoftim.
