Etrit Berisha prezantohet me pompozitet tek Empoli në Serie A, Uzuni vlerësohet si një nga “yjet” e La Ligës

Lojtarët e përfaqësueses që përbëjnë bërthamën e grupit, luajnë kryesisht në Itali, në Serie A. Duhet thënë se nga portieri Berisha, mbrojtësit Gjimshiti, Hysaj, Ismajli etj, por edhe mesfushorët Ramadani, Asllani e ndonjë tjetër, të gjithë luajnë në Serie A dhe trajneri brazilian Silvinjo, duke qenë më afër këtij grupi ka përshtatur skemat e tij në varësi të cilësive të lojtarëve që luajnë në këtë kampionat. Por për portierin Berisha kishte dilema se ku do të vazhdonte karrierën. Madje shtatlarti kosovar ishte menduar se mund të tërhiqej nga futbolli, pasi kishte më shumë se një vit që nuk luante asnjë ndeshje me skuadrën e tij Torinon, për më tepër që kishte prishur marrëdhëniet me trajnerin e kësaj skuadre që e kishte penalizuar disa herë. Por më në fund ka dritë në fund të tunelit për gardianin kuqezi, pasi nga dje ai ka gjetur skuadër të re e madje është prezantuar e do të vijojë të luajë po në Serie A italiane, veçse këtë herë me ngjyrat e Empolit,një skuadër ku vitet e fundit kanë bërë progres disa lojtarë shqiptarë.

Prezantim i bujshëm tek Empoli

Siç thanë, Berisha ishte së fundmi pjesë e Torinos, por përfundoi jashtë projektit të klubit “Granata” dhe trajnerit Ivan Juriç, e në këtë formë zgjidhi një tjetër destinacion për karrierën e tij. Klubi i Empolit nëpërmjet rrjeteve sociale zyrtarizoi Berishën i cili menjëherë do të vendoset në dispozicion të trajnerit Paolo Zanetti ndërsa portieri i kombëtares firmosi një kontratë njëvjeçare. Vendin e titullarit, Berisha do ta diskutojë me Samuele Parisan duke qenë se Elia Caprile u dëmtua para pak ditësh. 34-vjeçari në skuadrën e re do të gjejë edhe dy futbollistë shqiptarë si Ardian Ismajli dhe Stiven Shpendi. Interesant është edhe njoftimi i shkurtër që ka bërë Empoli në lidhje me portierin kuqezi. Një njoftim i shkurtër por që është zyrtar dhe i jep fund pritjes së gjatë të portierit për të gjetur skuadër ku të luajë. “Etrit Berisha bëhet blu. Portieri shqiptar, I lindur më 1989, ka kompletuar transferimin e tij nga Torino”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit te Empolit.

Vlerësimi i mediave: Uzuni ndër lojtarët më të mirë në La Liga

Myrto Uzuni fitoi derbin e kuqezinjve me Vedat Muriqin të shtunën e kaluar, teksa Granada iu imponua 3-2 Majorkës. Sulmuesi beratas realizoi me 11-metërsh golin e tretë për skuadrën andaluze, duke e çuar rezultatin në 3-1 (përkohësisht), por kontributi i tij ishte shumë më tepër. Uzuni, në përfundim të ndeshjes, ishte lojtari i dytë me notën më të lartë, 7.6, çka tregon se rëndësia e tej në vijën e parë të sulmit ishte e padiskutueshme. Specialistët e prestigjiozes “Marca” e kanë përfshirë sulmuesin kuqezi në formacionin më të mirë të javës së tretë, mes yjeve të tjerë të La Ligas. Krahas Uzunit, në dyshen e sulmit, është sulmuesi i Barcelonës, Ferran Torres. Nuk mungon as talenti 16-vjeçar i “blaugranave”, Lamine Yamal, apo ylli i Realit të Madridit, Jude Bellingham. Forma e mirë e shfaqur nga Uzuni në një prej ligave më të mira në botë i jep avantazh edhe në garën për vendin e titullarit brenda ekipit kuqezi, që në fillim të shtatorit do të ketë dy sfida kyçe për kualifikimin në Euro 2024, me Çekinë dhe Poloninë.

Go to TOP