Kosova po e humb luftën në tavolinë

Bashkimi Evropian (BE) ka diskutuar për një mori masash që duhet marrë për veriun nëse kryeministri Albin Kurti nuk ndërmerr ndonjë hap të menjëhershëm lidhur me situatën në këtë pjesë të vendit. Ditë më parë Kosova u përjashtua edhe nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe 23”.

Këto janë vetëm disa nga sanksionet për Kosovën nga ato që janë paralajmëruar.


E thënien e vjetër se, shqiptarët luftën çdoherë e kanë humbur në tavolinë, e kanë konfirmuar për Kosova.info, analistë, publicistë dhe njohës politikë.

Për njohësin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shqiprim Pula, përgjatë fund-shekullit të kaluar, Kosova, ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta ruajtur substancën shqiptare duke e etabluar me luftën çlirimtare në fundin e mijëvjeçarit që e lamë pas.

Po ashtu, përgjatë këtij fillim-shekulli, e veçanërisht, Kosova e pas pavarësisë, po bën përpjekje për ta konsoliduar shtetësinë, për ta fituar epitetin e shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare për të hyrë dhe zhvilluar marrëdhënie, me subjekte dhe entitete të së drejtës ndërkombëtare, natyrisht, duke e kaluar edhe fazën post-konsoliduese të tranzicionit politikë dhe institucional.

“Luftërat që i zhvillon një shtet, janë të natyrave të ndryshme, e mbi këtë konstelacion edhe Republika e Kosovës ka disa “luftëra” që i zhvillon paralelisht, për shkak dhe në raport me fqinjët, por, edhe për shkak të mjaftë zhvillimeve ndërkombëtare”, tha Pula.

Sipas tij, Republika e Kosovës ka përcaktuar rrugëtimin e saj politik, si partner serioz dhe i besueshëm në partneritet transatlantik dhe Evropian, për t’u anëtarësuar në Aleancën Veri Atlantike dhe Union Evropian.

“Gjithsesi, si vend demokratik e me interes gjeostrategjik kemi konfirmuar se mund të jemi partner global, në rrethana kur thirrjet janë të pareshtura për paqe në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, por edhe për tema të tjera me rëndësi. Andaj, kjo, është lufta jonë politike për paqe dhe prosperitet, duke respektuar rregullat e normuara të rendit botëror, por, duke mos e lënë pa e përmendur nevojën e mëtejshme për mbështetje që i duhet Kosovës politike. Fundja, sot, në epokën politike që po e jetojmë, shtetet nuk mund t’i mbijetojnë të vetme furtunave politike por në ndërvarshmëri njëra me tjetrën”, tha Pula për Kosova.info.

Për publicistin, Pal Shtufi, Kosova po e humb luftën në tavolinë, por vetëm ndonjë ndërhyrje radikale e forcave tjera mund ta shpëtojë.

“Albini është martir për nga natyra. E keqja është se ai e martirizon edhe Kosovën dhe syri fërk nuk i bënë”, tha Shtufi.

Sipas tij, Kurti më mirë jeton si martir duke e bë Kosovën shkrumb, se duke qenë pragmatist dhe i hapur me botën e qytetëruar.

“Ky është rob i idealizmit të formuar mbi baza të enverizmit dhe të rilindësve tanë”, ka thënë Shtufi në një prononcim për Kosova.info.

Për fat të keq, ajo që e kam deklaruar para 17 shkurtit të vitit 2008 në pritje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës me një gjendje të trashëguar në Veri të Kosovës, me komunitetin serb të pa integruar dhe problemet që do të pasojnë ndërkohë, tashmë është duke u vërtetuar, ka thënë gazetari dhe njohësi politik Sylë Ahmeti.

“Entuziazmi i madh politik e vetë mashtrues i cili është shpërfaqur më 17 shkurt të vitit ka qenë entuziazëm e shpalljes së shtetit të kontestuar nga komuniteti serb i cili për 9 vite të pasluftës nuk kishte arritur të joshet e të integrohet në realitetin e krijuar, prandaj secila qeveri e re e mbas 17 shkurtit të 2008-tës është sfiduar me situatën e trashëguar, kurse është vetë mashtruar me dialogun që është zhvilluar në raporte të pa barabarta me Serbinë, dialog i imponuar por vazhdimisht jo transparent, me koncesione të dëmshme që tash janë duke na kushtuar me pasoja që nuk mundë të riparohen”.

Ahmeti tha se, lirisht mundë të thuhet se ajo që i fitua me luftë, me mbështetje të aleatëve, është duke humbur në paqe për shkak të mungesës së strategjisë nacionale të spektrit akademik dhe politik, për shkak të ngarendjes për pushtet të liderëve që morën titull të tillë të pa merituar, dhe u bënë uzurpator të shtetit vetëm me qëllim të kapjes së pushtetit për interesa personale, pa e menduar rrugëtimin e vështirë përpara në politikën nacionale.

“Të gjitha qeveritë e pas 17 shkurtit të vitit 2018 janë rrezuar pikërisht nga fakti i mos gatishmërisë së ballafaqimit me situatën e trashëguar të një realiteti të kontestuar për të cilin faktori ndërkombëtar ka kërkuar për të negociuar dhe e gjetur formulën e kompromisit, për të qenë edhe akti i shpalljes së pavarësisë akt i përmbyllur dhe pa diskutuar. Gabimi më i madh i veprimit strategjik dhe politik ka qenë dhe mbetet dështimi i materializimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë e cila më 22 korrik 2010 bëri publik mendimin rekomandues për Kosovën ku thuhet se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Ahmeti në një prononcim për Kosova.info.

Sipas tij, të gjitha qeveritë e kësaj periudhe, pas vitit 2008, janë përgjegjëse pse kanë dështuar për ta materializuar këtë vendim-interpretim në lobim të fuqishëm ndërkombëtar, por kanë vazhduar për të dialoguar me Serbinë duke koncesionuar në dëm të shtetit, pa unitet politik e pa një gjykim akademik, prandaj kemi ardhur sot në këtë situatë kur shumëçka nga ajo që është fituar, është duke u zbehur dhe në tavolinë të dialogut humbja po bëhet realitet sepse ekziston rreziku real i imponimit të krijimit të një mini shtetit të ri për serbët në shtet, që është goditje e rëndë për stabilitet të qëndrueshëm dhe sovranitet të kontestueshëm.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. /Kosova.info/

Go to TOP