Fshihet murali i Mlladiqit në Beograd
Një mural i të dënuarit për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, u fshi të martën.
Murali ishte i pikturuar në fasadën e një ndërtese banimi në rrugën Njegosheva, në qendër të Beogradit.
Aktivistët e mbuluan atë me sprej të bardhë.
Një ditë më herët, aktivistët dhe qytetarët upërpoqën ta hiqnin muralin me furça çeliku, por aksioni përfundoi duke vizatuar një zemër të kuqe, që mbulonte fytyrën e Mlladiqit.
Zemra e kuqe mbeti në murin ku ishte murali.
Në të dyja aksionet mori pjesë edhe Gjorgje Miketiq, deputet i Parlamentit të Serbisë nga partia “Zajedno”.
Miketiq i tha Radios Evropa e Lirë se fshirja e muralit është pjesë e fushatës “Ta çlirojmë Serbinë nga urrejtja”.
“Ne po e bëjmë këtë si qytetarë të zemëruar, sepse ky mural që madhëron kriminelin e luftës – përgjegjës edhe për vdekje të fëmijëve – ndodhet 200 metra larg shkollës ‘Vlladislav Ribnikar’”, tha Miketiq.
Më 3 maj, në këtë shkollë u vranë tetë nxënës dhe një rojë e sigurisë.
Vrasës i dyshuar është një nxënës i po kësaj shkolle, 13 vjeç, i cili u arrestua.
Vetëm një ditë pas këtij sulmi, një sulmues tjetër i armatosur vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë në disa fshatra të Mlladenovcit, në afërsi të Beogradit.
I dyshuari 21 vjeç u arrestua po ashtu.
Kush është Mlladiq?
Mlladiq është dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje e Hercegovinë.
Muralin kushtuar tij e pikturuan autorë të panjohur në korrik të vitit 2021, në fasadën e një ndërtese banimi në qendër të Beogradit.
Kjo ndodhi një muaj pasi gjykata në Hagë e konfirmoi dënimin e Mlladiqit me burgim të përjetshëm.
Deri më tash, qytetarët kanë hedhur disa herë ngjyrë mbi të.
Komuna e Beogradit, Vraçar, në territorin e së cilës ndodhet ndërtesa me muralin e Mlladiqit, ka njoftuar më 9 dhjetor se, në përputhje me rregulloret, e ka hequr muralin me kërkesë të banorëve të ndërtesës.
Megjithatë, murali është kthyer në gjendjen e tij origjinale në më pak se gjysmë ore.
Dyshohet se autorët e muralit u përkasin grupeve të djathta në Serbi. /REL
