Kurti e Pavlova bisedojnë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit e shëndetësisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka pritur në takim zv.presidenten e Bankës Evropiane për Investime (EIB), Lilyana Pavlova.
Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin në të ardhmes, sidomos në fushën e energjisë, arsimit dhe shëndetësisë, ku EIB-ja mund të japë mbështetje përmes financimit, shkruan Zeri.info.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti shprehur mirënjohjen e tij për këtë institucion financar, duke përmendur faktin se në 10 vjetët e fundit ka ofruar mbështetje me vlerë prej 241 milionë eurosh.
“Ajo gjithashtu theksoi faktin dhe rëndësinë për ta që Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, pozitën e mirë makrofinanciare të saj dhe politikat e duhura fiskale që ka ndërmarrë Qeveria.
Në takim bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi si dhe Shefja e Kabinetit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Anila Abazi”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se Pavlova po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën “Vienna Economic Talks” që u mbajt sot për herë të parë në Prishtinë. Ajo ishte folëse kryesore në sesionin e dytë ku u diskutua për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe në mjedis të fragmentarizuar, në të cilin pjesë e panelit ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
