Kushtëzohet anëtarësimi i Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përmendet edhe njohja reciproke

Negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian (BE) për Serbinë, duhet të avancojnë vetëm nëse vendi i mbështet sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat që parashihen.

Kështu kanë thënë eurodeputetët në një raport të miratuar nga Komiteti për Punët e Jashtme të mërkurën.

Po ashtu, kusht për anëtarësim në BE, është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në Dialogun Beograd-Prishtinë, në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, bazuar në parimin e njohjes reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme.

“Dinamika e procesit të anëtarësimit me Serbinë do të përcaktohet nga progresi në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike, përkushtimi ndaj të drejtave dhe vlerave të përbashkëta evropiane, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është prioritet dhe parakusht për anëtarësimin e të dyja vendeve në BE, eurodeputetët u bëjnë thirrje të dyja palëve të demonstrojnë lidership dhe të jenë të gatshme t’i marrin vendimet e nevojshme që çojnë në përparim.

Go to TOP