Edhe zëvendësuesi i Nagip Krasniqit, nën hetime për korrupsion, dyshohet për një tender 1.6 milionë (DOKUMENT)
Të martën gjatë ditës, Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës, ka pezulluar nga puna kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi pas arrestimit nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim me detyrën dhe autoritetin zyrtar, kurse në vend të tij është emëruar Përparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.
Mirëpo edhe ky i fundit duket se nuk i ka punët mirë me drejtësinë.
Në një dokument të siguruar nga Periskopi, thuhet se ndaj Kabashit në mars të vitit 2022 kishin filluar hetimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, shkruan Periskopi.
Ai dyshohet se nuk e ka verifikuar nëse procedurat e zhvilluara për “Shitjen e Thëngjillit” në vlerën prej 1.6 milionë eurove kanë qenë në përputhje me ligjin në lidhje me aktivitetin e prokurimit.
Më këtë, ai ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kujtojmë se javën e kaluar, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar mbi dyshimin për tri vepra penale atë të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”, ndërsa ndaj Krasniqit, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në afatj prej 30 ditësh.

