Dështon mbledhja e Kryesisë, Kusari dhe Tahiri flasin për tema të ndryshme

Ka dështuar mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Kjo ndodhi për shkak se kishte mungesë kuorumi. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, abstenimin e opozitës e cilësoi veprim të papranueshëm.

Në  konferencë për medie, Kusari-Lila, tha deputetët e opozitës, në seanca dhe në mbledhje të kryesisë së Kuvendit, janë duke abstenuar vazhdimisht për propozimet dhe projektligjet që bëhen.

“E konsiderojmë totalisht të papranueshme dhe tërësisht jo të përgjegjshme abstenimin e vazhdueshëm të opozitës”.

Ajo u shpreh se arsyetimet se pozita e mban përgjegjësinë, tashmë nuk pinë më ujë.

“Për shkak se puna dhe përgjegjësia që e marrin deputetët, është miratimi i projektligjeve, me votimet e ndryshme të raporteve, e natyrisht edhe votimet në Kuvend”, tha Kusari-Lila.

Ndërkohë, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së në opozitë, Abelard Tahiri, foli për zgjedhjet e mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas tij, shantazhi dhe frikësimi i shtetit serb ka bërë që serbët të mos jenë pjesë e zgjedhjeve.

“Beogradi po i keqpërdorë serbët në atë pjesë dhe i ka shndërruar në instrument të tij”, tha Tahiri, sipas të cilit, kjo gjendje nuk është e favorshme. “Mirëpo i mbetet Qeverisë që të gjejë rrugën ligjore”.

Tahiri u shpreh se PDK  e di gjendjen në atë pjesë. “Ka qenë obligim ynë që me aq sa ka votues, të ofrojmë kandidatë dhe pavarësisht rezultateve qytetarët t’i mbajmë të angazhuar politikisht”.

Megjithatë, ai u shpreh se është e dukshme për një angazhim të madh të shtetit serb në atë pjesë të vendit.

“Siç duket, Qeveria e Serbisë ka vendosur që edhe pak atë të ardhme që e kanë pasur ata qytetarë, t’ua  minojë edhe t’i keqpërdor dhe të jenë instrument i tyre”.

Sipas Tahirit, ata po shndërrohen në instrument të Beogradit. “Kjo nuk na gëzon. Ne dimë ta dallojmë legjitimitetin nga legalitetit, i mbetet institucioneve të veprojnë konfrom ligjeve në fuqi”.

Go to TOP