Përfundon numërimi i votave në një qendër në Zveçan

Në një qendër votimi në Zveçan, në veri të Kosovës, ka përfunduar numërimi i votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente.

Qytetarët me të drejtë vote zgjodhën kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Sa i përket Zveçanit, në këtë komunë votuan 204 persona apo 2.92 për qind. Në garë për kryetar të kësaj komune ishin: Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, Sllagjana Pantoviq, që garoi si kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.

Listat me votat e numëruara të vendosura në objektin e një qendre votimi në Zveçan.
Listat me votat e numëruara të vendosura në objektin e një qendre votimi në Zveçan.

KQZ bëri të ditur se rezultati preliminar do të publikohet në ueb-faqen e këtij institucioni, pas orës 20:00.

Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë. /rel/

Go to TOP