U tha se kishte kërcënuar të dëmtuarit, flet zyrtari doganor: Shpifje, kishin dijeni për gjithçka

Ish-agjenti doganor Besmir Ramuka, i cili është në arrest shtëpiak tash e tre muaj për veprën penale “Falsifikim i Dokumenteve”, i ka quajtur trillime pretendimet e 250 të dëmtuarve se kinse kanë qenë të frikësuar nga Ramuka për të dëshmuar kundër tij në Gjykatë.

Ramuka, në një përgjigje ka thënë se në asnjë formë nuk ka kërcënuar asnjë nga palët e dëmtuara. Madje ai ka thënë se edhe të dëmtuarit kanë qenë në dijeni lidhur me veprën për të cilën akuzohet Ramuka.

“Kurrë në asnjë formë, nuk kam kërcënua e as frikësua asnjë nga palët e dëmtuara, këto raportime i paraqesin personat që kanë pasur dijeni se si kryheshin veturat, dhe kanë pasur dijeni për gjithçka. Pas dijenisë se edhe para prokurorisë kam deklaruar që do ti sjelli Emrat e Mbiemrat, paraqiten po këta persona, kinse qenkan të frikësuar nga ana ime”.

Tutje, Ramuka ka bërë me dije që është në muajin e tretë të arrestit shtëpiak, duke thënë se këto janë trillime nga disa persona që po mundohen të hedhin mjegull mbi këtë proces.

“Unë që në momentin e ndalimit e kam pranuar fajësinë menjëherë, dhe kam qenë bashkëpunues me të gjitha Organet, ka pasur dyshime e fjale boshe, që edhe do të arratisem, por e vërteta është që unë jam në muajin e 3 të arrestit shtëpiak, jam në shtëpinë time, dhe këso lloj fjalësh janë vetëm trillime nga persona që do të përballen me drejtësinë, ashtu siç jam duke u përballur unë. E gjitha është vetëm që të hedhin mjegull mbi procesin dhe të përzihen gjërat”.

Paparaci të martën kishte raportuar që Ramukës i është ndryshuar masa e sigurisë, ku me kërkesë të Prokurorisë në Ferizaj, Gjykata të njëjtin e ka liruar nga paraburgimi dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ramuka, në mënyrë të përsëritur kishte falsifikuar dokumente për automjete me qëllim të shmangies nga taksat e detyrueshme doganore, dhe si rrjedhojë e këtij veprimi dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë mbi 500 mijë euro.

Besmir Ramuka kishte mbetur i arrestuar në tetor të vitit 2022. ngarkohet me disa vepra penale që ndërlidhen me mashtrimet me taksa doganore, si: “Falsifikim i Dokumenteve, mashtrim dhe shmangie nga Taksat e Detyrueshme Doganore”. 

Go to TOP