Zemaj: Një shok i ministrit Çeku paguhet nga MKRS-ja 5560 euro në muaj
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka treguar se për çfarë ka debatuar sot me ministrin për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çekun, në kuvend.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se gjithçka filloi kur nisi të kërkojë llogari nga ministri Çeku rreth asaj se si është e mundur që një këshilltar të paguhet me pagë mujore prej 5560 euro në muaj.
“Unë në mënyrën më të mirë, siç e lejon edhe rregullorja e kuvendit, i drejtova disa pyetje për ministrin Çeku ku kishim informacione se ka abuzim me fondet publike dhe ka kontrata të dyshimta me qindra mijëra euro dhe të cilat iu janë dhënë personave ose që është në lidhje direkte në të kaluarën të marrëdhënies së punës së ministrit Çeku ose në shoqëri personale”.
“Unë e pyeta pasi kisha edhe dokumentacione, por pavarësisht kësaj e pyeta për t’u përgjigjur. Ndërsa ministri Çeku me një gjuhë dhe ndoshta për t’i ikur përgjegjësisë i quajti gënjeshtra. Në fakt këto ishin fakte të bazuara se një këshilltar në ministrinë e Kulturës paguhet 5560 euro në muaj dhe qytetarët e Kosovës në këtë kohë krize, por mbi të gjitha në kohën e varfërisë ekstreme, një njeri të paguhet me një pagë prej 5560 eurosh, me të vërtetë është e pakuptimtë”.
Zemaj ka thënë se nuk e njeh personin në fjalë, por e njeh ministrin Çeku i cili është i mandatar prej kuvendit për t’i mbrojtur taksat e qytetarëve dhe të raportojë para kuvendit për to.
“Si është e mundur një njeri të paguhet në Kosovë, të ketë një marrëveshje financiare me institucionet e MKRS-së dhe të paguhet me 5560 euro, ku unë edhe kontratën pas fjalëve të ministrit Çeku, ashtu edhe u publikova në faqen time zyrtare.
“Është e papranueshme gjuha sidomos e disa ministrave, nuk duhet të përfshihen të gjithë, ku në pamundësi të përgjigjen ose në argumentet kur po iu shpalosen hajnitë e ndryshme, ata nuk dinë gjë tjetër veçse t’i quajnë deputetët gënjeshtarë”.
Tutje, deputeti Zemaj ka shtuar se është edhe një organizatë ku ka punuar më parë ministri Çeku, e cila ka përfituar fonde të mëdha nga MKRS-ja.
“Kjo organizatë ka përfituar fonde. Një ministër i cili me një organizatë që vetvetiu e ka themeluar dhe të japë para nga një ministri që e udhëheqë vetë, do të kërkojmë edhe nga organet hetimore që t’i hetojnë këto kontrata”.
