Shefqet Krasniqi shpall kandidaturën për Asamblenë Komunale të Shtimes nga radhët e LDK-së
Me mbështetjen e kryetarit të degës së LDK-së në Shtime, Kastriot Shabani, dhe të gjithë kryesisë së degës, Shefqet Krasniqi ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për asamblenë komunale në zgjedhjet e 12 tetorit.
Përmes një njoftimi publik, Krasniqi tha se lajmin e parë për këtë hap të rëndësishëm e ndan me qytetarët e Shtimes, duke i konsideruar ata si familjen e tij të madhe. Ai kujtoi lidhjen e tij të ngushtë me komunitetin, përmes të cilit është formuar dhe ka kaluar momente të rëndësishme të jetës.
“Me ju jam rritur, me ju i kam kaluar ditët më të bukura e sfidat më të mëdha”, tha ai, duke theksuar se kandidimi i tij vjen me përkushtim të plotë dhe përgjegjësi për të qenë zëri i qytetarëve në Kuvendin Komunal.
Krasniqi u shpreh se nuk kërkon më shumë sesa atë që qytetarët gjithmonë i kanë dhënë – besimin, dashurinë dhe mbështetjen – ndërsa ai jep fjalën për angazhim, përkushtim dhe përgjegjësi.
“Shtimja ka njerëz të mirë, punëtorë dhe të ndershëm – dhe unë jam nga Shtimja!”, përfundon deklaratën e tij Krasniqi, duke shpalosur moton e tij: “Me Ju dhe Për Ju – Së bashku për të gjithë!”
Zgjedhjet për asamblenë komunale pritet të mbahen më 12 tetor 2025. /Kosova.info/
