35-vjetori i themelimit të LDK-së

Shkruan: Ndue UKAJ

Në një ditë si kjo, para 35 viteve, kur shtrëngatat e urrejtjes kishin përfshirë këtë pjesë të sertë e të varfër të Europës, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë demokratike në Europën Juglindore, që për mision pati paqen dhe demokracinë perëndimore.

Ishte ndanë vigjiljes së Krishtlindjes, një si simbolikë lindje e rilindje, që mund të tingëllojë e rastësishme, por, kur e kuptojmë faktin se Ibrahim Rugovës i pëlqenin simbolikat, atëherë assesi kjo ngjarje nuk mund të jetë e rastësishme, por një shndritje domethënëse. Sepse, Rugova dhe ajo çetë intelektualësh në atë errësirë të madhe, besonin te drita perëndimore dhe donin të dilnin nga despotia e lindjes.

Rugova, përpara se të përfshihej në jetën aktive politike, ishte afirmuar si rojtar i mendimit të lirë, duke kritikuar ashpër strategjinë negative serbe kundrejt shqiptarëve, me një strategji pozitive mahnitëse. Ai kishte rezistuar në fushën e artit, me libra dhe ide humaniste, duke e përdorë kulturën si armën më fisnike të njeriut në funksion të humanizimit të sjelljeve njerëzore, për t’i shëruar anomalitë shoqërore, duke besuar arti, “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”

Rugova dhe LDK-ja, kështu, krijuan kohezion të brendshëm, duke i rreshtuar shqiptarët, si rrallëherë në histori kah vlerat e njëmenda perëndimore, dhe kjo ndikoi që të krijohej pastaj një kohezion në Amerikë dhe vendet kryesore evropiane, për t’i dalë në ndihmë popullit të Kosovës.

Mund të thuhet, se, kjo periudhë, që do të pasohet me luftën e UÇK-së, përbën një ngjarje madhore, sipas mendimit tim, prej më të rëndësishmeve në historinë tonë kombëtare, pas periudhës së Gjergj Kastriotit. Po, kjo është hera e dytë në historinë kombëtare qindravjeçare, kur ne krijuam një ngjarje të madhe dhe u bëmë pjesë e historisë perëndimore.

Ajo çfarë e bënte Rugovën të veçantë ishte besimi i palëkundur te vizioni i tij dhe në këtë kauzë, ai ishte i sinqertë e i vërtetë. Ai e donte kulturën perëndimore si mënyrë jetese dhe jo si luks.

Ai besonte tek e mira dhe ishte i palëkundur në këtë besim, ndaj nuk e ndiqte dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e mirësisë. Dhe, në fillimet e rrugëtimit politik, e citonte Edmond Burken që thoshte se gjëja e vetme që nevojitet për të triumfuar e keqja është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, mendim ky përshkon në thellësi gjithë qytetërimin perëndimor, me të cilin ai e lidhte historinë dhe kulturën e popullit të tij.

Kjo qasje e pazakontë në Ballkanin e trazuar, ishte krejt origjinale dhe befasoi botën perëndimore. Duke shkruar rreth figurës së Rugovës, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare te parathënie a librit të Rugovës “Çështja e Kosovës” shkruan: “Mjafton të lexosh këtë rrëfim të gjatë të Rugovës, për të kuptuar mirë personazhin e vetë si dhe idetë dhe platformën e tij e të shqiptarëve. Por ajo që kapet edhe më qartë prej këtij libri është se sa larg dhe sa lart qëndron ky lider shqiptar në krahasim me gjithë liderët e tjerë që e kanë kthyer sot Ballkanin në log të tërbimit e të zisë.”

Kosova, ka disa vite që e ka bjerrë rrugën e Rugovës, e kjo, domethënë rrugën e vet, prandaj është e ligështuar, e izoluar dhe dukët e dërmuar. E, për të dalë prej kësaj mjegull mendore ku jemi katandisë, shoqëria jonë ka nevojë për mësimet politike e kulturore të Rugovës, sepse, siç na kanë thënë edhe udhëheqësit më të mëdhenj botëror, mësimet e tij janë kapitali më i madh politik që ka Kosova dhe bazament i shëndoshë për ta ndërtuar Kosovën e sotme dhe të nesërme.


Go to TOP