32 nxënës të Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” pjesë e projektit “Promovimi i Vlerave Humane”
32 nxënës të Gjimnazi ‘Hivzi Sulejmani’ në Fushë-Kosovë janë bërë pjesë e projektit “Promovimi i Vlerave Humane”, i cili organizohet në kuadër të Kryqi i Kuq i Kosovës.
Ky projekt ka për qëllim fuqizimin e të rinjve përmes vullnetarizmit, solidaritetit dhe angazhimit aktiv në komunitet duke i inkurajuar ata të jenë zë pozitiv dhe faktor ndryshimi në shoqëri.
Në kuadër të projektit, nxënësit kanë realizuar aktivitete konkrete në katër fusha të ndryshme duke promovuar vlerat humane, bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë. Ata janë angazhuar në iniciativa sensibilizuese dhe vullnetare në dobi të komunitetit duke dëshmuar përkushtim, përgjegjësi dhe gatishmëri për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më solidare.
Pjesëmarrja e nxënësve me prapavijë të ndryshme etnike është cilësuar si dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe e rëndësisë së edukimit për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim.
Gjimnazi ‘Hivzi Sulejmani’ mbetet i përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që zhvillojnë potencialin e të rinjve dhe kultivojnë vlera humane në shoqëri.
