Talenti i vogël kosovar shkëlqen në Zvicër: Erdon Hyseni golashënuesi më i mirë i turneut kantonal në Zürich

Erdon Hyseni, vetëm nëntë vjeç, po e dëshmon hap pas hapi talentin e tij të jashtëzakonshëm në futboll. I lindur dhe rritur në Winterthur të Zvicrës, por me prejardhje nga Kemenica e Kosovës, Erdoni po rritet si një prej lojtarëve më premtues të gjeneratës së tij.

Ai është pjesë e ekipit Phönix Seen Winterthur, ku me lojën e tij energjike, teknikën e zhvilluar dhe nuhatjen e saktë për gol po tërheq vëmendjen e trajnerëve dhe prindërve. Këtë fundjavë, talenti i ri shkëlqeu në turneun kantonal të Zürichut, ku morën pjesë shumë klube të njohura të rajonit.

Në këtë turne të rëndësishëm, Erdon Hyseni u shpall golashënuesi më i mirë duke realizuar 4 gola – një rezultat mbresëlënës për moshën e tij. Kulmi i performancës së tij ishte në ndeshjen finale kundër FC Effretikon, ku ai shënoi të dy golat që vulosën fitoren 2–0 dhe siguruan trofeun për ekipin e tij.

Sipas trajnerëve të klubit Phönix Seen Winterthur, Erdon Hyseni shquhet për shpejtësi, vendosmëri dhe intuitë të natyrshme në lojë, dhe nëse vazhdon me këtë ritëm dhe përkushtim, ai ka potencial të arrijë nivele të larta në futbollin zviceran e më gjerë.

Familja e tij nga Kamenica, komuniteti shqiptar në Zvicër janë krenarë për sukseset e Erdonit, i cili përfaqëson një shembull të shkëlqyeshëm të talentit dhe disiplinës së gjeneratës së re të diasporës shqiptare.

Në shumë mënyra, fitorja e tij nuk është vetëm një trofe sportiv, por një dëshmi se pasioni dhe puna e palodhur japin fryte, edhe kur je vetëm nëntë vjeç. /Kosova.info/


Go to TOP