24-vjeçari nga Kosova arrestohet në Gjirokastër, transportonte 64 emigrantë të paligjshëm

Policia e Gjirokastrës ka njoftuar sot arrestimin e shtetasit E. I., 24 vjeç, banues në Kosovë, pasi i riu nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar automjetin me të cilin transportonte 64 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta.

Policia ka publikuar pamjet e operacionit në një postim në Facebook.

“Në afërsi të fshatit Dervician, Gjirokastër, shërbimet e policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip furgon me drejtues shtetasin E. I., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, duke braktisur automjetin,” ka sqaruar policia.

Sipas policisë, pas disa minutash ndjekje, drejtuesi i mjetit është arrestuar.

“Në vijim të operacionit, pas hetimeve paraprake të kryera për këtë rast, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e 2 bashkëpunëtorëve të tjerë, shtetasve F. M., 34 vjeç, banues në Kosovë dhe E. Z., 27 vjeç, banues në Kukës. Vijon puna për kapjen e tyre”, ka shtuar policia.

“Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e policisë kanë gjetur 64 emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit”, ka theksuar policia.

Policia njoftoi gjithashtu se ka sekuestruar një automjet, një aparat celular dhe 3,400 euro.

Go to TOP