Sveçla i jep jehonë aksionit të policisë në Brezovicë: Jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i ka dhënë jehonë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Brezovicë.

Sveçla në një postim në Facebook thotë se kjo qeveri është zotuar për luftimin e krimit në çdo cep të vendit.

“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës”.

Ai ka thënë se aksioni në Brezovicë nuk ka pasur qëllim persona apo etni të caktuara.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.

Ministri i Punëve të Brendshme thotë se shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës, mbesim të përkushtuar të ofrojmë siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët tanë. Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Xhelal Sveçla.

Go to TOP