Rama për Rugovën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare: Shtëpia mbahet me miq

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar me respekt një nga thëniet më domethënëse të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova: “Shtëpia mbahet me miq”.

Në një postim publik, Rama theksoi se kjo thënie mbetet një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai veçoi rolin kyç të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit duke shtuar se këto lidhje janë dhe do të mbeten thelbësore për të ardhmen e vendit.

“Presidenti Rugova e kuptoi thellësisht rëndësinë e miqësisë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Këto marrëdhënie u ndërtuan me përkushtim të jashtëzakonshëm nga figura të shquara shqiptare si z. Ekrem Bardha, i cili që nga vitet ’80 loboi pa u ndalur për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare,” theksoi Rama.

Ai përmbylli mesazhin e tij me një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kontribuuan në arritjen e lirisë dhe paqes që gëzojmë sot duke e cilësuar mirënjohjen ndaj tyre si të përjetshme. /Kosova.info/


Go to TOP