Prokuroria Speciale bashkë me AKI e Policinë në një aksion të madh anti-korrupsion, ka të arrestuar

Disa persona “janë shoqëruar për intervistim” pas një aksioni policor, tha Policia e Kosovës më 18 dhjetor. Por, për dallim nga ky institucion, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se gjatë operacionit kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare janë “arrestuar disa zyrtarë të lartë” publikë, përfshirë një ish-ministër.

Policia tha me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencës, ky aksion policor u krye në disa lokacione të ndryshme dhe vetëm pas përfundimit të procedurave, do të japin informacione shtesë.

Megjithatë, Sveçla përmes një postimi në Facebook tha se disa persona u arrestuan lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Sipas Sveçlës, operacioni është zhvilluar bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet relevante. Të dyshuarit lidhen me keqpërdorime serioze në procesin e shpronësimit të pronave private.

Në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë: kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; eksperti i gjykatës Sh. T.; një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve; një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, G. L.; si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

Sipas dyshimeve, këta persona kanë vepruar si grup i organizuar kriminal duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ata dyshohet se kanë iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për rikompensim të paligjshëm të shpronësimeve të realizuara gjatë viteve 2011–2015 duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

Sveçla ka theksuar se koha kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e shtetit pa u ndëshkuar ka përfunduar duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, një tjetër sukses në luftën pa kompromis kundër korrupsionit.

Ai ka shtuar se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete në ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të paprekshëm nga çdo formë e krimit. /Kosova.info/

Go to TOP