Presidenti i KE, Michel: Mbështes nismën e Ballkanit të Hapur
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka mbërritur të premten për një vizitë zyrtarë në Tiranë. Ai është pritur në takim nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më pas kanë dalë në një konferencë të përbashkët për mediat.
Kreu i KE theksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit për të krijuar stimuj të rinj për reforma dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. Po punojmë që të japim rezultate konkrete. Po bëjmë përshpejtimin e integrimit. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe bisedimet duhet të nisin sa më shpejt”, tha Michel.
I pyetur nga gazetarët nëse e mbështet nismën e Ballkanit të Hapur, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel është shprehur pro nismës rajonale, ku deri tani janë bashkuar vetëm tre nga gjashtë vendet e rajonit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
“Për Ballkanin e Hapur, më lejoni ta përsëris, unë personalisht e mbështes, uroj që të gjithë vendet t’i bashkohen kësaj nisme, pasi do të kenë aftësi për të bashkëpunuar ne sfidat e përbashkëta që ka rajoni. Sa më shumë që të jenë aq më të mëdha mundësitë për të bashkëpunuar për të forcuar strukturat ekonomike e politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Me paketa financiare shumë të mëdha që BE ka aktivizuar për rajonin. Janë paketa që kërkojnë të favorizojnë lidhjet rajonale për të rritur bashkëpunimin ekonomik”, deklaroi Michel.
Presidenti i Francës, Macron më herët dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, së fundmi kanë propozuar krijimin e një Bashkësie gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë Michel dhe Rama folën për Shqipërinë si një vend i asociuar, çka do të thotë se vendi do të jetë në tryezat e BE-së ku do të ketë vendimmarrje të rëndësishme, megjithëse jo si një vend anëtar.
Vizita e Michel të premten në Tiranë vjen një ditë qëndrimit më 19 maj në Serbi, ku pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Michel tha se integrimi evropian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe konfirmoi “zotimin e plotë” të BE-së në negociatat e anëtarësimit.
Gjithashtu, Michel u shpreh se Serbia duhet të ndjekë shembullin e shteteve europiane duke dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë. Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.
