Portret Artisti – Violinisti Florian Vlashi

(Skicë monofragi)

Shkruan: Anisa Përparim JAUPAJ

     Artist virtuoz me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi prej pothuajse tre dekadash jeton në La Coruña të Spanjës, duke u bërë një ambasador i kulturës shqiptare, të cilën e përfaqëson denjësisht në skenat botërore, një mision të cilin ai e kryen më së miri nëpërmjet përhapjes së artit dhe kulturës sonë nëpër botë. Po si nisi rrugëtimi i tij?

      “Vij nga fëminia ime”, do të përgjigjej ai duke cituar Princin e vogël të Antoine de Saint-Exupéry- së, në një prej intervistave për revistën spanjolle “Mundoclasico[1]. Kjo etapë e parë jetësore, e cila lë gjurmë dhe brumos personalitetin, rrugëtimin dhe proçesin e rritjes përgjatë “këtyre 4000 ditëve që përfshijnë fëmijërinë”, vazhdon më tej Vlashi për “Mundoclasico-n”.

     I lindur më tetë nëntor të vitit 1963 në një prej familjeve të nderuara të qytetit të Durrësit, Florian Vlashi kaloi një fëmini të lumtur dhe të ushqyer hap pas hapi nga interesa artistike e kulturore. Ai ishte bir i një mësueseje të përkujdesur dhe i shkrimtarit, regjisorit dhe përkthyesit të njohur Gjergj Vlashi. Duke folur jo pa nostalgji për ato vite të shkuara, ai shprehet se jeta e tij ishte e ndarë midis dy botëve, të asaj bote të madhe që përfaqësonte realitetin e shoqërisë shqiptare të kohës dhe të një mikrobote të kufizuar brenda katër mureve të shtëpisë. Kjo e fundit ushqente tek ai një energji të pashpjegushme, e cila e mënjanonte plotësisht prej asaj çfarë ndodhte jashtë. Nga rrëfimi i tij për vitet e fëmijërisë, kuptohet fort mirë se dashuria e madhe dhe e vazhdueshme për artin nuk i erdhi rastësisht. Pasuria më e madhe që zotëronte familja Vlashi ishte biblioteka e stërmadhe, në raftet e së cilës gjendeshin me mijëra libra, duke filluar nga klasikët grekë e deri tek modernistët e ndaluar, që nga albumet e pinakotekave të mëdha të artit klasik dhe e deri atij bashkëkohor, si dhe mbi 250 disqe të muzikës klasike, po ashtu edhe muzikë të regjistruar nga vetë Gjergji, të koncerteve të RAI-t apo të premierave të veprave bashkëkohore.

     Ishte i ati që e këshillonte jo vetëm për librat që duhet të lexonte, por që edhe me shumë durim i shpjegonte artin kubist të Picasso-s, readymade-t e Duchamp-t apo përmbajtjen e baleteve te Stravinskit.

Foto nr. 1
Biblioteka e shtëpisë në Durrës e Gjergj Vlashit

     Të dy prindërit më drejtonin me një formulë magjike “… shumë disiplinë dhe shumë dashuri, por gjithmonë duke luajtur” thotë ai në po të njëjtën intervistë. Në shtëpinë e tij ai ishte gjithashtu i rrethuar nga miq të familjes që i ngjallnin kureshtje, muzikantë, shkrimtarë, aktorë, intelektualë të njohur, mes të cilëve edhe Ismail Kadare, i cili e cilësonte shtëpinë e Vlashit si “Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve”. Kjo mikrobotë pra ndikoi në mënyrë mbizotëruese në formimin e interesave të tij të hershme artistike dhe kulturore, duke e futur natyrshëm në universin magjik të artit, në një kohë kur “arti ishte e domosdoshme për të jetuar (Oscar Wilde)”, për të mos vdekur nga e verteta (Nietzsche)”, thotë Vlashi. Por ajo gjithashtu e ruajti prej mediokritetit të një shoqërie të kontrolluar nga ajo dorë e hekurt, e cila i shtynte njerëzit drejt një rryme të vetme, drejt populizmit apo zërit të “masës”. T’i shmangeshe kësaj vorbulle ishte, në mos e pamundur, posaçërisht e vështirë, dhe në rastin e Florianit, arratia më e mirë për këtë ishte zhytja në bibliotekë.    

            Që do të studjonte edhe muzikë, kjo ishte e zgjedhja e padiskutueshme e prindërve të tij, por vetëm kaq. Violina, instrumenti që do ta lidhte me muzikën që prej fëminisë, u përcaktua pasi kaloi me sukses konkurrimin, në moshën gjashtë-vjeçare, në shkollën e muzikës së Durrësit.            

Mbresat e ditës së parë të shkollës si dhe të atyre viteve të para ai i hodhi në letër, dhe rastësisht ato ranë në dorën e Kadaresë, i cili, i entuziasmuar nga shkrimi, vendosi t’i botojë në gazetë nën titullin “Premtimi”.

            E mbaj mend si tani ditën e parë të shkollës në Durrës. Ishte klasa e parë djathtas në hyrje. Jam ulur në bankën e fundit në rreshtin nga dera. Shoku i bankës ishte Edisoni. Unë isha i lumtur atë ditë, ndërsa Edi nuk pushonte duke qarë. E shikoja me habi dhe nuk e kuptoja pse qante. Edhe ai më shikonte me habi dhe nuk e kuptonte pse isha i lumtur.

            Nga profesorët e violinës, kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë lënë gjurmë tek unë, por nuk e harroj atë që më vuri duart në violinë, Stathi Qehajefin. Mësimet me profesor Stathin më kujtohen shumë mirë. Kishte një metodë interesante për të nxitur fëmijët në studim; në mur kishte vënë një tabelë ku, me kuadrate e kryqe, jepte ecurinë e nxënësve çdo ditë si të ishte një garë sportive.

            Një ditë ai më pyet “Si e ke ushtrimin?” “Mirë, veç një masë nuk më del…” “Për një masë nuk ka problem” më thotë dhe ma kalon ushtrimin. Atëhere unë, kur merrja ushtrimin e ri, kërkoja masën më të vështirë dhe studjoja të gjithë pjesën përveç asaj mase. Në këtë mënyrë fitoja mjaft kohë… deri sa një ditë me thotë me një ton të ftohtë: “Për herën tjetër dua të më sjellësh të gjitha masat që ke lënë pa bërë !”. Tronditja ime merret me mend. Duhet të studjoja të gjitha ato “masat e zeza” të të gjitha pjesëve. Një tmerr! Edhe sot e kësaj dite unë filloj të punoj një vepër gjithmonë nga “masat e zeza”.

             Ishte mësimi i parë që më dha ai mbi ndershmërinë në profesion e për sforcimin deri në vuajtje për të realizuar diçka. Atë ditë, për herë të parë, pata parandjenjën se violina do të ishte miku dhe armiku im…

            Me profesor Stathin u lidhëm shumë. Im atë, që bisedonte shpesh me të për letërsinë dhe shkëmbenin libra, më thoshte se ishte mjaft i kulturuar e fliste shumë gjuhë. Mua, bashkë me dy nxënës të tjerë nga klasa, na mbante shumë afër dhe na thërriste shpesh në shtëpinë e tij. E kalonim shumë mirë dhe, kur iknim, na jepte disa lodra të vogla plastike që për ne ishin mrekullia vetë.

            Në vitin tjetër shkollor nuk erdhi më … Na thanë se e kishin arrestuar si agjent… Në një fotografi të madhe ku kishim dalë ne nxenesit me të, fytyrën e tij e prishën me stilolaps. Askush nuk fliste më për të sikur kurrë nuk kish ekzistuar.

Foto nr. 2
Florian Vlashi në klasë të parë, përkrah Fatmir Libohovës (drejtori i shkollës së muzikës). Figura e prishur me stilolaps është e profesorit Stathi Qehajefit (1970)

       Disa vite më pas, duke kaluar nga rruga e gjykatës, ndalon para meje një makinë policie nga ku zbresin dy policë që mbanin nga krahët një njeri. Ishte profesor Stathi. M´u duk krejt i bardhë në fytyrë. Unë mbeta pa lëvizur në mes të rrugës dhe m`u mbushën sytë me lot.

            Pas disa kohësh na thanë se kish vdekur në burg…

            E kujtoj shpesh atë moment para gjykatës. Ishin vetëm disa sekonda. Duhet ti kisha folur, ta përshëndesja, t´i thoja se e kujtonim shumë apo ta falenderoja për lodrat. Sa mirë do kish qenë për të një fjalë e mirë në ato momente. “Për herën tjetër dua të më sjellësh të gjitha masat që ke lënë pa bërë!”… Kësaj here, profesor, e kam të pamundur ta korrigjoj gabimin.

            Kur vij për pushime në Durrës gjithmonë shkoj tek shkolla. Në verë aty thuajse nuk ka njeri. Dëgjohet ndonjë nxënës që studion piano dhe unë, nën tingujt e asaj pianoje të çakorduar, shëtis pa ngut duke u futur në të gjitha sallat, klasat, banjot. Ritmi i hapave të mi dhe jehona e tyre në koridoret bosh kanë diçka ndërmjet misterit dhe melankolisë…

            Në fund ndaloj tek banka e klasës së parë. Kanë kaluar mbi 40 vjet dhe unë akoma nuk e kam kuptuar kush kishte pasur të drejtë atë ditë, unë që isha i lumtur apo Edisoni që qante[2].

     Çdo i vogël që i vihet studimit të muzikës, është i privuar nga gëzimet e moshatarëve të fëmijërisë, nga lodrat dhe argëtime të tjera. Padyshim që asnjë fëmijë i vogël nuk mbyllet brenda katër mureve me dëshirë, i detyruar që të përsërisë disa masa me dhjetëra herë. Por, nga ana tjetër, kjo rutinë e mërzitëshme është një mësim i madh për jetën edhe pse paradoksale për vetë moshën. Ndryshe është kur një fëmijë i vogël merr një lodër një ditë dhe e “hedh” për ta ndërruar me një lodër tjetër, ndërsa me instrumentin ndodh e kundërta, atë e ke po aty. Çdo ditë ke bërë nga katër masa, pas disa kohësh mund të jesh në gjëndje të interpretosh një vepër të tërë. Dhe kështu, mësimi më i madh që merr një fëmijë për jetën është se suksesi arrihet “gurë më gurë” dhe nuk vjen nga rastësia me një shkop magjik. Vështirë që një fëmijë i vogël të ndjejë kënaqësi kur fillon studimin, sidomos violinën, e cila, ndryshe nga piano për shembull, që mjafton të godasësh në tastierë për të nxjerrë tinguj, nëse nuk di t’i biesh nxjerr veçse zhurmë. Pra janë një seri gjërash komplekse, si muskuli, intuita, veshi, pozicionet etj, që të mundësojnë për të nxjerrë një tingull të bukur a një intonacion të saktë.

     Siç u përmend edhe më lart, vajtja në shkollën e muzikës për Vlashin nuk ishte rastësi (jo vetëm për faktin e ndikimit të prindërve intelektualë, por edhe afërsia e banesës së tij me shkollën e muzikës), por nuk ndodhi kështu me përzgjedhjen e instrumentit të violinës.

     Eshtë i njohur fakti, që instrumenti të izolon dhe kjo gjë bëhet shumë e trishtueshme për një fëmijë (madje Vlashi thekson gjatë një bashkëbisedimi, se nga përvoja e tij personale nuk do ta rekomandonte këtë izolim për një fëmijë të asaj moshe), por është vërtetuar ndërkohë që fëmija ta dashurojë krejt natyrshëm muzikën dhe instrumentin e tij, kjo ndodh kur ai luan me fëmijë të tjerë duke mos e konsideruar më instrumentin si një detyrim, por si lojë. Vetë shprehja “luaj në instrument” është shumë e bukur (ndonëse jo e përdorur në të gjitha gjuhët, p. sh në Spanjë thuhet “prek instrumentin”, në Rumani “tingëlloj në instrument”), është si të thuash një çelës sekret për ta joshur fëmijën në lojën me instrumentin.

Foto nr. 3
Florian Vlashi në klasë të pare (1970)

            Në bisdë me të, Floriani rrëfen se në dashurinë e tij të vërtetë për violinën, krahas kalimit të viteve, do të ndikonin edhe faktorë të tjerë. Një prej tyre, ishte pjesëmarrja në orkestrën e harqeve të shkollës, e cila, që në çastin e parë solli një kthesë e madhe në marrëdhëniet e tij me muzikën. Një tjetër fakt i treguar me shumë fanatizëm prej tij, është violina e re që i solli i ati nga Pogradeci në kohën kur atij, tashmë 13 vjeç, i duhej të luante me një violinë 4/4 nga ajo në ¾. Ishte një instrument që tingëllonte aq bukur sa u dashurova me zërin e tij, tregon ai me shumë entuziasëm sikur të përjetonte po të njëjtat emocione të shumë viteve të shkuara.

     Pyetjes se kush ka qënë njeriu, që e inkurajonte dhe tek i cili kishte besim që do t’ia dilte, ai, pa asnjë lloj mëdyshje, i përgjigjet se gjatë tetë viteve të para ka patur mbështetjen e familjes dhe sidomos të të atit, që e ushqente me dashurinë për artin, por edhe të së jëmës përsa i takon formimit të dispilinës së punës. Por ai i është gjithashtu mirënjohës mësuesve të tij të shkollës së muzikës, që edhe pse të rreptë, e kanë mbështetur në çdo hap të rrugës së tij, në mënyrë të veçantë profesori i violinës Vaso Papa.

            Pasi dëgjon një rrëfim të tillë, pyetja që të lind natyrshëm dhe që të ndjell kureshtje është: nëqoftëse nuk do të ishte violina zgjedhja e Florit, në cilin drejtim do të kanalizohej rrugëtimi i tij? Edhe në këtë rast, pa mëdyshjen më të vogël, ai përgjigjet: sigurisht diçka që do të lidhej me botën e artit, pasi shkencat e sakta më dukeshin të ftohta edhe të largëta, edhe pse në vetvete muzika është shkencë më vete. Por pavarësisht kësaj, ai ndërkohë shprehet me bindje që muzika lidhet në një farë mënyre me shkencat dhe për këtë i referohet disa koncerteve që ka bërë me temën “muzika dhe matematika”, të cilat i vlerëson ndër koncertet më të sukseshme për të rinjtë dhe me shumë interes në llojin e tyre. Duke iu rikthyer idesë se nëse jeta e tij nuk do i kushtohej muzikës, ai flet për dashurinë për letërsinë, e cila mbetet pasioni i tij i dytë. Dhe për këtë përmend intervistën e dhënë në revistën spanjolle, ku në lidhje me pasionin e tij të hershëm për letërsinë kujton se, një nga librat e tij të dashur të fëmijërisë, Fari në fund të botës i Jules Verne-it, në një farë mënyre kishte shënjuar apo paralajmëruar të ardhmen e tij. Prej Durrësit të tij të dashur, ai u vendos në një qytet të bregdetit spanjoll që, siç thotë ai vetë, është qyteti me farin më të vjetër të botës dhe që, si çdo qytet i tillë, është i hapur në të gjitha drejtimet, po ashtu edhe për dashurinë e madhe për muzikën.

            Pas përfundimit të shkollës së mesme të muzikës, ëndërra e Vlashit ishte, padyshim, vazhdimi i studimeve në Institutin e Lartë të Arteve. Por kjo dëshirë e zjarrtë u shoqërua nga një gotitje e madhe: iu mohua e drejta të merrte pjesë në konkursin e pranimit për shkak të problemeve biografike. U detyrua kështu të punonte për një periudhë një-vjeçare në prodhim. Duke pohuar me sinqeritet se puna është gjithnjë nder, pavarësisht se çfarë bën dhe ku punon, ai ndërkohë nuk i fshihet faktit që ky detyrim jo vetëm që i humbiste kohë, por shoqërohej edhe me frikën e lëndimit të duarve apo kontraktimit të muskujve, fatale këto për një violinist. Pasi mori një karakteristikë pozitive nga vendi i punës si edhe mendimin që e meritonte të merrte pjesë në konkursin e ILA, erdhi një gotitje e dytë. Përmes një fletë-rrufeje të vendosur në sheshin e qytetit të tij të lindjes, akuzohej se po braktiste punën në prodhim. Trauma ishte e jashtëzakonshme, po aq sa edhe absurdi i mendësisë se ndjekja e studimeve të larta shihej si një mëkat përkundrejt largimit nga gjiri i klasës punëtore. Kjo betejë për shkollim, në të cilën nuk munguan as ndërhyrjet e disa intelektualëve miq të familjes, së fundi përfundoi me dhënien e së drejtës për t’u paraqitur në konkurs. Kundërshtitë dhe vështrirësitë me të cilat iu desh të përballej në këto hapa të jetës, duket se i dhanë më shumë forcë për të ecur përpara. Intuitivisht e ndjeu se erërat e kundërta e bënë edhe më të vendosur për të arritur suksesin. Për të mos folur gjatë për këtë, ai i referohet fjalëve të Nietzche -s, sipas të cilit, “ajo që nuk të vret të bën më të fortë”.

            Tensioni që e shoqëroi gjatë kohës së përgatitjes ishte i vetëkuptueshëm për një njeri si ai, i mbrujtur me pikësynimin e paepur për të dalë fitimtar. Ishte rasti i jetës time, thotë Vlashi, duke folur për përgjegjësinë që ndjente jo vetëm ndaj atyre që e kishin mbështetur dhe besuar, por edhe për faktin që do të përballej me violinistë të ardhur nga i gjithë vendi. Lajmin e fitores në konkurs e përjetoi me një krenari të pamasë, pasi ndër 42 violinistët pjesëmarrës ishte renditur i pari me 160 pikë (maskimale), ndërkohë që vendi i dytë kishte siguruar vetëm 90 pikë.   

     Përshtypja e parë që krijoi te pedagogët e ILA ishte shumë e madhe, lakmohej nga të gjithë për të qenë student i tyre. Ai tregon se Ibrahim Madhi në mënyrë të veçantë kishte rekomanduar  Vlashin për të studiuar jashtë vendit, ekzaktësisht në Francë, çka nuk u bë e mundur për shkak të biografisë dhe “dosjes së errët”, e cila i sillte gjithmonë probleme. U caktua me Raimonda Stefin (Koço), nën drejtimin e së cilës i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera, me mesatare të përgjithshme 9.8. Duke folur për vitet e Institutit, ai përmend se krahas profesoreshës së violinës, në formimin dhe zhvillimin e tij një rol shumë të rëndësishëm kishin të gjithë pedagogët e tjerë të shkollës. Megjithatë, fakti që në Durrës ishte drejtuar në mënyrë të shkëlyer nga pedagogu Vaso Papa, ia bënë më të lehta vitet e studimeve.

Foto nr. 4
Formacioni i ILA drejtuar nga I. Madhi (1985)

     Duke spikatur si një ndër studentët më të mirë violinistë, Vlashi u përzgjodh nga Ibrahim Madhi si violinë e parë e Formacionit të harqeve të ILA. Gjatë katër viteve të studimeve, Vlashi thotë se nuk ishte koshient që ajo dosje e mallkuar po e përndiqte këmba-këmbës, “madje e kam shijuar plotësisht atë kohë dhe kam punuar fort me violinën”, pohon ai. 

     Megjithëkëtë, gjatë rrëfimit të tij ai kujton një ngjarje të trishtë në lidhje me programin e diplomës. Midis veprave që do të luante në diplomë ishte edhe Koncerti Nr. 2 i Prokofievit. Pas një pregatitje dhjetë-mujore plot përkushtim, atij iu komunikua se nuk mund ta luante koncertin, pasi autori i saj, të cilin ai e adhuronte, ishte një kompozitor modernist. I ndodhur përballë faktit të kryer, ai u detyrua që brenda një kohe shumë të shkurtër, gjithësej dyzet ditë, të përgatiste Koncertin e Brahams-it në Re+. Nën shoqërimin e pianistes Anita Tartari, për të cilën flet me shumë nostalgji dhe adhurim, Florian Vlashi realizoi një mbrojtje diplome të shkëlqyer, ku krahas Brahms-it interpretoi dhe Koncertin Nr. 2 të Kujtim Laros. Koncerti i tij i diplomës u regjistrua në radio dhe u trasmetua i shoqëuar me një intervistë të tij në korrik të vitit 1987.

   Foto nr. 5
Artikull nga Gëzim Kabashi (1985)

                                            Përfundimi i studimeve me rezultate të shkëlqyera, hapte përpara Florianit të gjitha mundësitë për t’u emëruar në ndonjë prej institucioneve kryesore artistike të vendit, si në ILA, ashtu edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit apo në Orkestrën simfonike të RTSH. Por kjo nuk ndodhi. Betejat e tij duket se nuk kishin të sosur. Fillimisht ishte vendosur që të punonte si mësues në Gjirokastër, por rastësia e solli që të qëndronte në qytetin e lindjes për të zëvendësuar një nga mësueset e shkollës së muzikës.

            Duke mos u mjaftuar vetëm me mësimdhënien në violinë, ai ka bërë koncerte recitale të ndryshme duke luajtur në publik një sërë veprash të repertorit tradicional por edhe të autorëve të shekullit XX si Ravel dhe Bartok (ky i fundit interpretohej për herë të parë në Shqipëri). në sajë të përvojës së fituar në orkestrën e harqeve të Ibrahim Madhit, të cilën e vlerëson si një shkollë më vete, Vlashi ngriti formacionin e harqeve të shkollës së mesme artistike “Mujo Ulqinaku”.

      Kështu, në vitin 1989 Florian Vlashi krijoi Orkestrën e Harqeve “Jan Kukuzeli” në Durrës (emër të cilin e mori më vonë edhe shkolla e mesme artistike e këtij qyteti), me të cilën luajti “Katër Stinët” e Vivaldit që interpretohej për herë parë në Shqipëri. Përveçse vepra u luajt e plotë me katër koncertet përbërëse të saj dhe sonetet shoqëruese, fakti tjetër me interes është që Vlashi përmend një fakt pothuajse të panjohur. Sipas tij, Konti Durazzo me prejardhje nga një familje fisnike durrsake, kishte blerë pothuajse të gjitha dorëshkrimet e Vivaldit, të cilat ia trashëgoi brez pas brezi pasardhësve të tij, derisa këta të fundit ia shitën Bibliotekës së Torinos në vitin 1924. Pikërisht rreth kësaj kohe dolën në dritë veprat e Vivaldit, një pjesë e mirë e të cilave, përfshi edhe “Katër stinët”, u luajtën për herë të parë në qytetin e Siennas.

Foto nr. 6
Koncerti premierë “Katër stinët” e Vivaldit (1989)

 Në dhjetor të 1989 me këtë formacion u luajtën për herë të parë koralet e Jan Kukuzelit (shekullit XIII) dhe Niketë Dardanit (shekullit IV). Kjo ngjarje mjaft e rëndësishme zgjoi interesin e emrave më të njohur të muzikës së kohës, veçanërisht për faktin që muzika kishtare e Kukuzelit, e krijuar rreth 700 vjet më parë, interpetohej për herë të parë në Shqipëri e përshtatur për formacion harqesh. Po në të njëjtin vit, juria e Konkursit të Solistëve dhe Orkestrave Sinfonike të Shqipërisë, e kryesuar nga Çesk Zadeja, e vlerësoi Florian Vlashin me çmimin e parë për lojën solist me Orkestrën Simfonike të Durrësit, nën drejtimin e dirigjentit P. Afezolli.

Foto nr. 7
Pas koncertit me Koralet e Jan Kukuzelit tek Torra. Në foto Gjergj Prevazi, Ramadan Sokoli, Petrika Afezolli, Feim Ibrahimi, Florian Vlashi, Edmond Buharaja dhe Ylli Ademi, Nikolet Vasia (1989)

Tashmë që për Vlashin dukej se çdo gjë po shkonte më së miri, rastësia e solli që ai të largohej nga Shqipëria, kur prej një miku të fëmijërisë mori njoftimin mbi një konkurs të organizuar për zgjedhjen e instrumentistëve që do të bëheshin pjesë e Orquestra Sinfónica de Galicia. Konkursi do të mbahej në muajin shkurt të vitit 1992 në disa qytete të botës, Stuttgart, Londër, New Jork, Bratislavë, San Petersburg dhe A Coruña. Gjatë intervistës me të, Vlashi thotë se vendimin për të marrë pjesë në konkurs e mori pa asnjë dilemë, i udhëhequr nga dëshira e tij e brendëshme – duke nënvizuar njëkohësisht se te të gjithë ne fshihet “sindroma e trubadurëve” – për të udhëtuar në distanca të largëta. Me një ton të lehtë humori, Vlashi rrëfen se vetëm pas arritjes në Stuttgart, për udhëtimin drejt të cilit iu desh të merrte para hua, u informua që konkursi ishte i hapur për instrumentistë nga e gjithë bota, duke shtuar se nëse do ta dinte më parë këtë fakt nuk do ta kishte marrë vendimin për të konkuruar. Por atij iu desh të përballej me një sfidë edhe më të madhe, që kishte të bënte me programin e konkursit. Midis partiturave të veprave të detyruara, dhjetë prej tyre mungonin në Shqipëri. Habia që kjo i shkaktoi sekretares së konkursit ishte më se e natyrshme. Vetëm një ditë para mbajtjes së konkursit, një instrumentist i ardhur nga Shqipëria i kërkonte ndihmë për gjetjen e partiturave! Kjo aventurë e Vlashit, të cilit iu desh që brenda 24 orëve të studionte 10 vepra të reja orkestrale solo, përfundoi me sukses të plotë dhe shërbeu si një gur prove për afirmimin e aftësive të tij.

            Lajmin se ishte fitues i konkursit Vlashi do ta merrte pas kthimit në vendlindje, në një prej ditëve kur nuk kishte drita në shtëpi. Por tashmë një dritë tjetër, jeshile, ishte ndezur për të duke i hapur rrugën e drejt një të ardhmeje të re, të panjohur, por shumë premtuese.

            Pasi përfundoi me sukses turneun e planifikuar në Itali me orkestrën “Jan Kukuzeli” të Durrësit”, në vitin 1992 Florian Vlashi u bë një prej instrumentistëve të Orquesta Sinfónica de Galicia, e cilësuar nga kritika e specializuar si më e mira në Spanjë.

Foto nr. 8
Artikull mbi turneun e mbajtur në Itali me orkestrën “Jan Kukuzeli” (1992)

     Sigurisht që kjo arritje ishte shumë e rëndësishme për të, por ai nuk u ndal me aq. Vajtja në Spanjë ishte veçse fillimi i një stadi të ri, që do të vijohej më tej me përpjekjet e vazhdueshme për perfeksionimin e lojës në instrument si edhe me ndërveprimin multi-kulturor me kolegë të tjerë.

      Në vitin 1993, Florian Vlashi mban koncertin e tij të parë në Spanjë, një recital me vepra nga Bach, Paganini dhe Stravinski, pas të cilit i erdhën oferta për realizimin e koncerteve të tjera. Ndërsa i nënshtrohet disa kurseve të specializimit me G. Egger (Bachakademi Stuttgart) dhe me L. Müller (koncertmaestër i Orkestrës së Dhomës së Vienës), Vlashi vazhdon aktivitetin koncertal. Midis të tjerash, një ngjarje e rëndësishme e veprimtarisë së tij artistike të kësaj periudhe është interpretimi për të parën herë në Spanjë i veprës së plotë të kompoziotrit vendas Andres Gaus-i, të shoqëruar më pas edhe me regjistrimin në një disk, që u prit mjaft mirë.

Foto nr. 9
 Florian Vlashi me Placido Domingue në një nga koncertet e para në Spanjë (1993)

            Pas katër vitesh, në shtator 1996, Vlashi themeloi grupin instrumental me emrin sinjifikativ Siglo XX, të vendosur në shenjë nderimi për shekullin, që beri ndryshimin më të madh në historinë e muzikës. Ky ansambël u formua kryesisht me qëllimin për të luajtuar vepra të autorëve të muzikës bashkëkohore. Kjo nevojë lindi, midis të tjerash, për faktin që zona në të cilën Vlashi jetonte nuk kishte një ansambël të mirëfilltë të specializuar për muzikën e shekullit XX. Duke folur mbi këtë çështje në intervistën për gazetën “Mundoclasico“, ai thekson se dy mbeten synimet kryesore të grupit: 1) paraqitja e kryeveprave të muzikës së dhomës të shekullit XX deri në ditët tona; dhe 2) bashkëpunimi dhe mbështetja e krijuesve spanjollë. Ai parashtron gjithashtu se grupi Siglo XX nuk njeh kufizime të përbërjeve instrumentale, të cilat, në varësi të veprave mund të jenë duo, kuartete, kuintete deri edhe me pjesëmarrje të prej dhjetë a njëzet instrumensitëve. Solistët e Siglo XX janë gjithashtu edhe anëtarë të OSG (Orquestra Sinfonica de Galicia), nga të cilët mund të veçojmë: Lilia Chirilov, Stefan Utanu, Caroline Bournaud, Luminita Burca, Mihai Tanasescu, Enrique Iglesias (violinistë); Raymond Arteaga, Arben Llozi, Despina Ionescu, Wladimir Rosinskij (violistë); Ruslana Prokopenko, Gabriel Tanasescu, Rediana Lukaçi, Raúl Mirás (çelistë); Todd Williamson (kontrabas); Claudia Walker (flaut); Juan Ferrer, Pere Anguera Camós (klarinetistë); Casey Hill (oboe): Steve Harriswangler (Fagot); Alejandro Vázquez, Manuel Moya (trompistë); John Etterbeek (trombon); José Belmonte, Alejandro Sanz (perkusionistë); Ayako Zemba (piano); Ramón Carnota (kitarë); dhe Celine Landelle (harpë). Të ardhur nga shkolla, vende e kultura te ndryshme, çdonjëri prej tyre, sipas tij, ka prodhuar energji të jashtzakonshme dhe të gjithë së bashku janë shtresëzuar mes tyre si “një Babel”, shprehet ai në mënyrë metaforike.  

            Prej koncertit të parë të Siglo XX, të mbajtur në Teatrin Rosalía de Castro (A Coruña) më 8 prill 1997 (me vepra nga autorët F. Poulenc, D. Milhaud, M. Barber, I. Xenakis dhe I. Stravinsky), kanë kaluar plot 25 vite, një rrugë e tërë e mbushur me sfida për përballimin e një repertori të njohur për vështirësitë veçanërisht të mëdha.

Foto nr. 10
Artikull nga “La Voz” (1997)

      Me profesionalizëm dhe përkushtim, grupi Siglo XX i drejtuar nga Florian Vlashi tashmë numëron përmbi 170 “permiera botërore” të autorëve kryesisht spanjollë si: Manuel Alejandre Prada, Fernando Alonso, Ramiro Cartele, Paco Casal, David Cuevas, Julio Montero, Helena Palma, Eligio Vila etj, por edhe të kompozitorëve shqiptarë, si Feim Ibrahimi, Gjon Gjevelekaj, Donika Rudi, Aleksandër Peçi, Haig Zacharian.

     Nga numri i madh i veprave të luajtura në koncerte gjatë gjithë këtyre viteve të grupit Siglo XX, Vlashi veçon: Black Angels nga George Crumb për katër instrumenta elektronikë, vepra të muzikës së re të Galicias të paraqitura në Festivalin e Veronës, Pierrot Lunaire nga Schönberg, Qatuore pour la fin du temps nga Messiaen si dhe Historia e ushtarit të Stravinskit, këto dy veprat e fundit janë luajtur edhe në Bienalen e qytetit të Durrësit si vepra premierë në Shqipëri.

Foto nr. 11
Foto nga aktiviteti i GISXX (2018)

     Përsa i takon lojës së tij si solist, në intervistën e përmendur Vlashi rrëfen se me violinën e tij ka shëtitur që nga sallat e njohura të Spanjës, Ukrainës apo Italisë e deri në vendet më të paimagjinueshme sikundër janë lagjet e varfra në São Paulo të Brazilt, rrënojat e frikshme të nerofumos në Durrës, në një dasëm apo në varrezat e San Amaros të A Coruña-s etj. Në mënyrë të veçantë ai ndalet te një recital i mbajtur në Logroño, pas të cilit kompozitoria e njohur María Dolores Malumbres, e emocionuar, i dhuron një violinë të çmueshme të shekullit XVIII të trashëguar nga i ati. Disa muaj më vonë, kompozitorja shkruajti për të një vepër interesante për violinë solo, të titulluar Violina e tim eti, që Vlashi e cilëson si një krijim me bukuri abstrakte të rrallë, duke e përfshirë më pas në ciklin “Espacios sonoros”. Duke folur për këtë episod mbresëlënës të jetës së tij, Vlashi shprehet se: “Kjo është nga ato histori aq të bukura e prekëse, për të cilat mendohet që ndodhnin vetëm nëpër libra”. Por Malumbres nuk është e vetmja që ka krijuar posaçërisht për Florian Vlashin (mbi 30 vepra i janë dedikuar atij). Në vitin 2005, Paulino Pereiro i ka dedikuar atij Sonatën nr. 2 op. 118 për violinë solo, të titulluar “Vlashiana”.

Foto nr. 12
Foto e sonatës “Vlashiana” (2005)

            Themelimi i Siglo XX nga Florian Vlashi, përveç arsyeve të përmendura, erdhi edhe si një nxitje e brendëshme e tij për të eksperimentuar. Kjo dëshmohet, midis të tjerash, edhe nga një Konferencë-koncert që ai mbajti në universitet, me temën “Historia dhe misteri i violinës”. Duke luajtur me katër instrumente të ndryshme harkorë si lahuta, violina baroke, violina klasike dhe ajo elektrike, ai bën së bashku katër tradita dhe kultura të ndryshme. Lidhur me këtë ndërmarrje kaq interesante, gjatë intervistës së tij ai i referohet si model frymëzimi përvojës së shquar eksperimentale të John Cage-t. Në një shkrim mbi këtë ngjarje, kritiku spanjoll Julio Andrade, duke folur për eksperimentimin e Florian Vlashit, shprehet midis të tjerash: se violina elektrike dukej “si e pa mishtë, gjë që i jepte pamjen e një skeleti… me tingëllim fantazmagorik”, pra, “djalli vetë”, rrëfen Vlashi.

            Një tjetër projekt i tij i dashur për të është Bienalia “Netët e Muzikës Klasike”, të cilën e themeloi në 2003 në qytetin e Durrësit (festivali i parë i muzikës klasike në Shqipëri që vijon aktivitetin ende). Ideja për këtë, thotë ai, “lindi në një formë krejt të natyrshme, si të gjitha gjërat e paparashikuara”. I gjendur atë vit në Durrës për të kaluar pushimet verore, me një grup miqsh të shkollës, teksa u përfshimë në biseda dhe kujtime plot nostalgji, filluam të improvizonim dhe të interpretonim me njëri-tjetrin vepra të ndryshme. Të mbështetur nga dashamirësit e muzikës si edhe nga Bashkia e qytetit, në ditët e fundit “menduam që këto vepra t’i luanim në publik dhe aty për aty vendosëm themelimin e aktivitetit nën emrin “Netët e muzikës klasike”.

Foto nr. 13
Broshura e Bienales “Netë e Muzikës Klasike” (2021)

     Shumë shpejt festivali mori formën dhe strukturën e duhur, të përbërë nga shtatë netë me tematika të ndryshme, si një rrugëtim në epoka të ndryshme të muzikës, përfshi edhe një konkurs për talentet e reja, fituesi i të cilit ftohet nga Rediana dhe Florian Vlashi për të luajtur në Spanjë. Vlashi e vlerëson konkursin si një mundësi të artë për të rinjtë, “një mundësi që në moshën e tyre mua nuk ma ofroi njeri”, thekson ai jo pa një ndjenjë dhimbjeje. Festivali përmban në çdo edicion nga një vepër të porositur premierë. Po kështu, krahas muzikantëve shqiptarë aty luan rregullisht edhe Grupi i Vlashit (Siglo XX) duke krijuar një “urë tingujsh” ndërmjet dy vendeve. Ndër vite, koncertet e “Netëve të Muzikës Klasike” janë mbajtur në ambjente të ndryshme të qytetit si: amfiteatri, teatri, muzeu, katedralja deri edhe te një klub apo te rrënojat e një fabrike të braktisur në periferi të qytetit.

      Tanimë grupi Siglo XX ka hyrë në vitin e njëzet e pestë të veprimtarisë së tij dhe ndërkohë po përgatitet për një seri koncertesh në Spanjë, të cilat do të kurorëzohet me veprën madhore të muzikës së shekullit XX, “Le Marteau sans maître” (Çekiçi pa mjeshtër) të Pierre Boulez-it dhe me premierën botërore “25 Microsecuencias” (25 mikrosekuenca) të 25 kompozitorëve nga Galicia.

Foto nr. 14
Foto e realizuar nga Pablo Sánchez Quinteiro, OSG (2019)

            Aktualisht Florian Vlashi është duke punuar për një tjetër projekt, përtej veprimtarisë koncertale. Karriera ndërkombëtare dhe mundësia e krijuar përmes saj për njohjen e përvojave, që zbatohet sot në vende të zhvilluara të botës, e shtynë Vlashin për t’iu vënë punës së hartimit të një fjalorthi terminologjik në gjuhën shqipe (me 47 pjesë të violinës), i cili i mungon shkollës shqiptare të violinës. Vlashi vetë pohon se gjatë kohës kur punonte në Sinfonica de Galicia (një orkestër ndërkombëtare me instrumentistë nga mbi 20 vende të botës), ai vetë nuk ngurronte të konsultohej mbi emërtimet, jo vetëm në italisht e frëngjisht, por edhe në gjuhë më të rralla si finlandisht apo japonisht.

            Iniciativa shumë e dobishme e hartimit të këtij fjalorthi për violinistët shqiptarë, e ka përqendruar punën e Vlashit në një angazhim shumë serioz, i cili fillon që nga hulumtimi nëpër biblioteka i literaturës së shkruar për instrumentin e violinës, për luterinë në përgjithësi, pra i një fondi tejet të pasur, një pjesë të të cilit ai e ka njohur dhe seleksionuar përgjatë 30 viteve.

Foto nr. 15
Fjalorth në gjuhën shqipe me 47 pjesë për violinë, nga F. Vlashi.

     Dashuria për artin në përgjithësi, e kultivuar që prej fëmijërisë së hershme, mbetet një ndër tiparet më dalluese të botës intelektuale të Florian Vlashit. Krahas lidhjes me letërinë, ai është një pasionant, të themi gati një “fanatik”, i pikturës.

     Kjo ka zgjuar tek ai shpirtin e koleksionistit të tablove të autorëve të ndryshëm shqiptarë, të cilat i mban të ekspozuara në sallonin e shtëpisë së tij. Gjatë gjithë këtyre viteve ai numëron në koleksionin e tij më shumë se 100 vepra, ndër të cilat veçon një skulpturë të Nikoletë Vasisë të titulluar Muzika, të cilën e ka ekspozuar në oborrin e shtëpisë së tij.

Foto nr. 16
Pikturë e I. Kodrës nga koleksioni i F. Vlashit.

     Është fjala për një skulpturë me orientim disi kubist që, siç e përshkruan Vlashi, ka në epiqendër një instrument bashkë me një kokë njeriu e një kokë kafshe, nga e cila përciellet ideja e Menuinit që violinisti është një qenie e çuditshme, një gjysmë tigri e gjysmë poeti. Ndoshta në koleksionimin e tablove të autorëve shqiptarë të pikturës, Vlashi, krahas dashurisë për artin, gjen edhe mundësinë për të plotësuar gjithë sa i mungon nga vendi i tij.

Foto nr. 17
Foto e Florianit me prindit në Muzeun Guggenheim

     Duket sikur dashuria për muzikën është gjithëpërfshirëse në familjen Vlashi, pasi ajo nuk mbaron tek Floriani. Të dy djemtë e tij janë instrumentistë, përkatësisht Danieli luan si violinist solist në orkestrën Deutsches Symphonie-Orchester të Berlinit, ndëra Martini ka zgjedhur instrumentin e violonçelit duke ecur nën gjurmët e së jëmës, Rediana Lukaçit.

Foto nr. 18
Foto e familjes Vlashi, prindërit, djemtë dhe bashkëshortja e Florianit.

     Pyetjes se çfarë do të bënte Flori kur të mbaronte misioni i tij me violinën, ai i përgjigjet me shumë thjeshtësi, se ndoshta do t’i kushtohej verërave apo mbase t’i rikthehj figurave në plastelinë, që bënte dikur tek biblioteka e të atit. Por një gjë është e sigurtë. Violina, e cila e ka shoqëruar dhe përmbushur gjithë jetën e tij, do të vazhdojë të mbetet përherë e tillë për të.

Kanë shkruar për të:

Me talentin e kulturën e gjerë që zotëron, jep një imazh të vërtetë të shpirtit të shqiptarit, që mbijetoi përmes diktaturës e indiferencës europiane. Me personalitetin e tij mundohet të zhbëjë, të davarisë sado pak atë perde errësire që kanë hedhur mbi Shqipërinë     

                                                    Pirro Dollani

Ju jeni shqiptari i dytë që kam takuar në jetën time pas Nënë Terezës

                                                    Zubin Mehta, dirigjent

Vlashi luan me shumë elegancë, zhdërvjelltësi teknike e muzikalitet. Loja e tij është thjështë mjeshtërore . Një artist i shkëlqyer.         

                                                  Ramiro Cartelle , kritik muzikor

Florian Vlashi , një tjetër shqiptar që i bën nder kombit   

                                                 Gëzim Kabashi, gazetar

Peneli i artë ishte koncerti i Florian Vlashit, interpretim i shkëlqyeshëm, plot virtuozitet, dominim e asimilim të muzikës moderne.                                    

                                            Carlos Blanco Ruiz, kritik muzike

Muzika klasike e re triumfon në duart e Vlashit            

                                              O. Castro, kritik muzike

Vlashi është një muzikant i kategorisë së lartë. Ishte një koncert vërtet i mahnitshëm

                                              Enrique Sacou , kritik

Vlashi ka të rralla jo vetëm cilesitë si instrumentist, por dhe ato njerëzore. Është kënaqësi ta kesh pranë edhe si muzikant edhe si njeri.

                                               Juan Duran , kompozitor

Pa të muzika moderne në Galici nuk do të ishte ajo që është. Një person që beson në muzikën e re dhe në kompozitorin e vendit tonë.                                     

                                               Paulino Pereiro, compozitor

                                             nga dedikimi i sonates “ Vlashiana”

Një violinist i jashtëzakonshëm                  

                                              Miguel Anxo Fernan Vello, poet

Bagazhi artistik e bën Vlashin një nga protagonistët më të mëdhenj të muzikës së re në Galici – Spanjë në këto dekadat e fundit. … ka një teknik të lartë në interpretim, me një ekspresivitet e ndjenjë tepër të përshtatshme. Gishtat e tij janë të përkryer në pasazhet më virtuoze që i përballon me një natyrshmeëri të habitshme. Teknikisht loja e Vlashit më duket verbuese.

                                                 Paco Yánez, muzikolog

Shpirti i tij i kultivuar dhe drejtpeshimi i brendshëm, zbuloi një talent të fortë, të aftë për të kuptuar botën e muzikës së re, si dhe rrugën e domosdoshme në artin interpretativ modern. Gjithë edukimi violinistik dhe estetik që ai shprehu shfaqi një univers muzikor te freskët … Një thesar i vyer njerezor.

                                  Luminica Virginia Burca, violiniste dhe muzikologe

Me muzikën, violinisti Florian Vlashi është qiell dhe dritë, frymë dhe dehje, ngjizje dhe krijim, është ai që ribëhet në çdo rast kur interpreton muzkën klasike dhe atë moderne, jo si një moderator shërbyes në rrëfenjë, por si një eskplorator magmash muzikore që për t’i shkoduar duhet talent, mendje, kulturë, genuinitet muzikor, mjeshëtri gati magjike për të hapur portat sekrete të këtij arti që gjithnjë nuk e tregon sekretin e fundit.(…)

Për ata që e kuptojnë dhe e duan me thellësi, muzika nuk është një qejf; është një fe. Kështu shprehej një mendje e ndritur e kombit shqiptar, Faik Koncia. Dishepull i këtij besimi e rituali lutjesh, pra i muzikës si një religjion arti dhe fryme, është violinisti Florian Vlashi. Tempulli është instrumenti dhe psalmi është tingulli tij ekzistencial…e dëgjoj në ajër dhe i them mirënjohje. (…)

Magjia vazhdon me pengje enigmash ndaj vijojmë ta dëgjojmë violinën e Florian Vlashit!.

                                                 Përparim Kabo, filozof

Kur Florian Vlashi organizon nje koncert, duke drejtuar Camerata Brigantina apo Grupo Instrumental Siglo XX, kemi bindjen se po asistojmë në një ngjarje muzikore të kategorisë më të lartë

                                           Julio Andrade Malde, kritik muzike

... (koncerti) që trajton në formë qarkore ekzistencën e një jete, me artikulimin e jashtëzakonshëm e plot vitalitet në violinën e Florian Vlashit, nënshkruan plot nerv e shkëlqim, këtë besimin absolut – si në Majin 68 ashtu dhe në atë të 2018 - në fuqinë revolucionare, utopike dhe transformuese të muzikës. 

                                           Paco Yañez, muzikolog, kritik muzike


[1] Intervistuar nga muzikologu dhe gazetari i njohur  spanjoll Paco Yáñez.

[2] Nxjerrë nga shkrimi “Premtimi”, Gazeta Shqiptarja.com 17/02/2012 Florian Vlashi

Go to TOP