Angela Kosta boton librin ‘Gratë – xhevahire poetike globale’

Pas botimit muajin e kaluar të antologjisë me përkthimet e saj të 72 autorëve poetë nga e gjithë bota, me rastin e Festës së Nënës, Angela Kosta boton librin ‘Gratë – xhevahire poetike globale’, një përmbledhje poezish lirike nga 35 poete ndërkombëtare.

Ky libër u kushtohet të gjitha nënave, grave e vajzave, sot më shumë se kurrë Perëndesha të përvuajtjeve njerëzore që shpesh në heshtje durojnë si dhunën verbale po ashtu edhe atë psikologjike. Pavarësisht nga kjo, gruaja vazhdon dhe dominon fuqinë e papërshkrueshme, të cilën shpesh, qoftë një burrë nuk është në gjendje ta kuptojë dhe ta përballojë. Gruaja rigjeneron vetë jetën në qenien e saj, ndaj nuk i trembet asgjëje. Ajo është xhevahiri hyjnor me magjinë e pafundme mbi natyrën dhe është pikërisht kjo ajo çka do të gjeni në këtë përmbledhje poezish. Secila poete vargëzon dhe reflekton përballë pasqyrës së ekzistencës ndërgjegjen e saj pa paragjykime, përpunon mendimet dhe mposht mundimet e saj, u gëzohet arritjeve dhe sukseseve, nxjerr në pah pasionet, emocionet e dashurive të largëta e të përhumbura, evidencon meditimin e thellë mbi jetën familjare dhe shoqërore, i bën jehonë dhe evokon kudo paqen, eksploron, ruan, dekoron dhe përkujdeset me admirim rreth gjithçkaje që natyra na ofron në të gjitha enigmat madhështore dhe prezencën enigmatike. Libri “Gratë – xhevahire poetike globale” është shpirti i pastër i të gjitha grave të botës, të cilat fluturojnë të lira me pendë dhe bojë, aty ku askush nuk mund t’u prekë, t’u pengojë apo t’u parandalojë atë çka dëshiron të shprehë. Asgjë nuk mund të ndalë lindjen e diellit, rrjedhën e lumit, lulëzimin dhe rilindjen e gjithësisë që ekziston në këtë tokë, sepse gruaja ndodhet kudo, ashtu sikurse Universi sepse ajo vetë është Universi. Gruaja përqafon çdo  çast të gjithë botën, me ëmbëlsinë e pafundme dhe bukurinë e saj hyjnore. Vigjilente dhe e kujdesshme, ajo përkund djepin e gjithë rruzullit, sepse me mushkëritë e saj ushqen gjithçka që vibron dhe merr frymë. Dhe nuk është rastësi që Zoti e krijoi… Gruaja është rilindja e mrekullisë së jetës!!!

Biografia e autores:

Angela Kosta ka lindur në Elbasan dhe jeton në Itali që nga viti 1995. Ajo është akademike, gazetare, përkthyese, eseiste, kritike letrare, botuese dhe promovuese. Deri tani ka botuar 13 libra: romane, poezi dhe përralla në shqip, italisht dhe anglisht dhe është autore e 3 antologjive të publikuara në Kosovë dhe Itali. Përfitimi i dy librave të saj në Itali iu dhuruan Shoqatës ONLUS për kërkimin shkencor ndaj Sklerozës Amiotrofike Laterare (SLA) dhe Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Tumoreve dhe Limfomave tek fëmijët dhe të rriturit. Së shpejti botohet në Bangladesh vëllimi saj poetik i përkthyer në bengalisht nga studiuesi dhe shkrimtari Hasan Nashid i aprovuar nga Ministria e Kulturës në Bangladesh. Gjithashtu shkrimet dhe përkthimet e saj janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme letrare në disa vende kontinentale dhe ndërkontinentale.

Go to TOP