Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, aktivitetet kriminale në veri dhe aplikacionet për raportim të krimit

Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës janë duke vazhduar me aksionet për konfiskimin e aparateve për prodhimin (mining) e kriptovalutave, ku deri më tani janë konfiskuar rreth 500 pajisje, në rajonin e Mitrovicës dhe atë të Prishtinës.

Aksioni për konfiskimin e këtyre pajisjeve vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vend pas krizës me energji elektrike.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka folur për aksionet që kanë ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke sqaruar se si po bëhet konfiskimi i këtyre pajisjeve dhe pse.

Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave

Drejtori i Doganave ka thënë se janë dy situata kur po ndodhë konfiskimi, duke shtuar se pajisjet që kanë konfiskuar deri tani nuk kanë qenë të deklaruara në doganë dhe se nuk kanë pasur asnjë dëshmi.

“Ne e pamë që rishtazi është një vendim që e shpalli gjendjen emergjente çështjen e furnizimit me rrymë, një krizë e cila në nivel global ka goditur të gjitha shtetet. Tek pjesa e veprimit të Doganës së Kosovës, ne e kemi parasysh vendimin e Qeverisë për ilegalizimin e veprimtarisë në rrethana aktuale, mirëpo pjesa e konfiskimit që ka ndodhur bazohet në faktin se pajisjet e njëjta nuk kanë prejardhje, janë të kontrabanduara. Dokumente që dëshmojnë së këto pajisje kanë hyrë në mënyrë legale, kjo është aspekti kryesor pse ndodhë konfiskimi”, ka sqaruar ai.

Megjithatë, drejtori Llugaliu bëri të ditur se edhe pajisjet që kanë dokumentacion dhe që janë duke operuar konfiskohen, pasi që kjo veprimtari po konsiderohet jo ligjore.

“Por janë edhe arsyet tjera pse ndodhë konfiskimi kur një veprimtari konsiderohet jo ligjore atëherë dhe vet operimi i pajisjeve është jo ligjor, dhe një prokuror mundet të urdhërojë që pajisjet si mjet i kryerjes së veprës të konfiskohen. E kemi edhe këtë situatë, mirëpo nëse dikush i ka pajisjet me dokumentacion, por nuk i fut në rrymë i njëjti nuk do të ketë problem.Vet fakti që i ka në veprim e dëshmon se është kundër qeverisë”, theksoi Llugaliu.

Drejtori bëri të ditur se pajisjet që janë konfiskuar në Mitrovicën e Veriut dhe qytetet tjera të gjitha kanë qenë të kontrabanduara.

Llugaliu bëri të ditur se në rrethana normale, pajisjet e konfiskuara dalin në shitje, por që në këto rrethana ato do të ruhen.

“Rëndom ne i nxjerrim në shitje, në rrethana normale kur nuk ka rrezik, jo në rrethana të tanishme, por i ruajmë derisa konsiderohet se është e dobishme edhe për të hyrat e doganës. Gjykata vendos për fatin final të produkteve”, u shpreh ai.

Veriu ka shërbyer si strehë për të fshehë aktivitetin kriminal

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës ka thënë se nga koha kur është emëruar në këtë pozitë, ai ka bërë përpjekjet maksimale që të kenë reforma në proceset kyçe të doganës.

“Unë vërtetë e ndjej se çështja e pozitës është më shumë përgjegjësi se sa privilegj. Për këta 8 muaj e gjysmë unë kam bërë përpjekjet maksimale që të kemi reforma të proceseve kyçe në doganë. Dogana e Kosovës ka pasur edhe vazhdon të ketë vlera të rëndësishme të organizatës, në sistemin aktual kemi të regjistruar koncepte menaxheriale, bashkëkohore, jam munduar që këto koncepte t’i azhurnojë dhe t’i përforcojë edhe më shumë”, ka deklaruar ai.

Llugaliu ka thënë se parandalimi do të jetë me qasje primare dhe se është shumë më rëndësi që të kenë efikasitet në parandalim.

Drejtori i Doganës bëri të ditur se ai ka pranuar kërkesë nga Qeveria, që duhet të bëjnë gjithçka me resurset që kanë në dispozicion për të siguruar trajtim të barabartë të gjithë tregtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.

“Bizneset jo vetëm nga veriu, por nga gjithë territori e kanë shfrytëzuar veriun si strehë për të fshehë aktivitetin kriminal, e që shpesh ka qenë edhe për kontrabandë të mallrave. Ne kemi mat edhe performancën edhe sa i përket parandalimit, dhe kemi arrit që brenda vitit 2021 të kemi afro 11 milionë euro parandalim direkt të shmangieve”, shtoi ai.

Llugaliu mes tjerash tha se më së shumti bëhet kontrabandë më duhan, ndërsa më parë ka qenë me naftë.

“Nga hetimet që janë bërë ne kemi gjetur informacione brenda funksionalitetit të grupit, që personat e njëjtë i bëjnë dëm edhe Kosovës për nga mallrat që sjellin, por edhe vendeve të rajonit. Në veçanti të produktet e duhanit. Policia ka pasur tri katër raste që kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut”, theksoi ai.

Llugaliu tha se për ta sfiduese vazhdon të jetë kontrolla në veri, por që ekziston vullneti i policëve që të sigurojnë rregullat e lojës së njëjtë për të gjithë tregtarët.

“Në kontrollojmë kufirin, është sfide e vazhdueshme, ekziston një vullnet prej policëve që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe të arrijmë cilëndo fushë që në të sigurojmë rregullat e lojës së njëjtë për të gjithë tregtarët. Kemi pasur disa kontrolla, ku ka pasur edhe rezultatet, nuk ka qëllime politike në këto veprime, po e bëjmë punën tonë”, deklaroi mes tjerash ai.

Aplikacionet për raportim 

Dogana e Kosovës ka lansuar gjatë vitit 2021 dy aplikacione ku u mundësohet qytetarëve dhe bizneseve që të raportojnë për rastet kur hasin në keqpërdorim të detyrës zyrtare apo kur qytetarët trajtohen në mënyrë joprofesionale nga zyrtarë të Doganës.

“Dogana e Kosovës çështjen e korrupsionit e merr me seriozitet të lartë. Është e vërtetë që kemi pasur arrestime. Gjatë vitit 2021 kemi pasur nëntë zyrtarë që i janë nënshtruar suspendimit nga detyra, me qëllim që të mundësohet një hetim i pandikuar dhe të gjithë janë në hetim e sipër dhe do të ketë një vendim krahas procesit në gjykatë. Është me rëndësi të theksohet se të gjitha këto hetime janë bërë nga Dogana e Kosovës”, tha Llugaliu.

Tutje ai shtoi se pasi për ta është e rëndësishme që të ketë komunikim të mirëfilltë me publikun, i kanë lansuar dy aplikacione për Smartphone.

“Njëri është menduar që të funksionoj për komunitetin e bizneseve dhe i ofron të gjitha shërbimet kryesore të proceseve të punës. Ndërsa tjetri është menduar për komunikim me publikun e gjerë. Në këtë aplikacion është i mundësuar komunikimi i pa identifikueshëm, i sigurt me publikun për të raportuar të gjitha rastet kur kemi keqpërdorim të detyrës zyrtare, kur dikush nuk trajtohet në mënyrë profesionale nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, e që njëkohësisht do të na shërbej si bazë për zgjerim edhe të shërbimeve tjera”, tha Llugaliu.

Ndërkaq, Dogana po ashtu ka krijuar edhe mundësinë që qytetarët të verifikojnë për të dhënat e veturave të përdorura, ku sipas tij ndodhin shpesh mashtrimet.

“Aktualisht përveç këtyre mundësive, ne i kemi krijuar edhe mundësinë që qytetari të ketë mundësi të verifikoj një fushë që është veturat e përdorura që është shpesh objekt mashtrimi nga tregtarët. Qytetari ka mundësi që përmes të dhënave të automjetit ose të deklaratës doganore të gjej se cila ka qenë gjendja e kilometrave të kaluara në momentin kur automjeti është paraqit për zhdoganim në Doganën e Kosovës”, bëri të ditur Llugaliu.

Llugaliu po ashtu foli edhe në lidhje me të ardhurat e mbledhura nga Dogana e Kosovës.

Ai tha se në vitin 2022, planifikohet që të grumbullohen 70 milionë euro më shumë sesa në vitin 2021 nga Dogana.

Go to TOP