EKONOMI

Ministri Peci prezanton Strategjinë e parë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021-2027

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori pjesë në takimin e Grupit Drejtues për Hartimin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021-2027 në të cilin u diskutua lidhur me Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, politikë kjo e cila për qëllim ka krijimin e një baze të qartë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend. Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027, gjithashtu lidhet ngushtë me objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, asaj të Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian, si dhe përafrimin me Politikat e Përbashkëta Bujqësore dhe ka për qëllim të adresojë një sërë objektivash që ndërlidhin institucionet relevante të Republikës së Kosovës.

Ministri Faton Peci ndër tjerash theksoi se misioni i Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 është që ta transformojë sektorin e ekonomisë agro-rurale duke e bërë atë gjithëpërfshirëse, produktive, të qëndrueshme dhe konkurruese si brenda tregut vendor ashtu edhe jashtë saj. “Ky dokument mes tjerash trajton rritjen e konkurrencës në sektorin agro-ushqimor, menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore, mbështetjen e bizneseve në zhvillimin e zonave rurale, sigurinë ushqimore dhe reformat e nevojshme në administratë siç edhe jemi zotuar në takimet e shumta ndërministrore, duke ri-konfrmuar parteneritetet e vendeve tona me organizata mike që i kontribuojnë zhvillimit të sektorit dhe të shkëmbëjmë eksperiencat relevante për implementimin e standardeve të IPARD”, u shpreh Ministri Peci. 

Vlenë të theksohet se për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 është e para, dhe se kësaj strategjie i ka paraprirë edhe një analizë sektoriale për disa nga sektorët kryesorë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, si sektori i bimëve, blegtoria dhe diversifikimi rural dhe zhvillimi i ekonomisë rurale, andaj MBPZHR përmes kësaj strategjie tanimë i ka të qarta objektivat e saj që i kontribuojnë zhvillimit të sektorit të bujqësisë. /Kosova.info/

Shfaq më shumë