Mediat në Ekuador zbulojnë detajet si shqiptarët kanë marrë në zotërim tregun e kokainës, nga vrasjet te dërgimi i drogës në Europë

Vrasja e Ergys Dashit mbrëmjen e 22 janarit, në qytetin Guayaquil të Ekuadorit, ka risjellë në vëmendjen e mediave vendase trafikun e kokainës në shtetin amerikano-latin nga shqiptarët. Mediat e Ekuadorit i kanë kushtuar disa artikuj faktit se si funksionon trafiku i kokainës nga shqiptarët, fillesat e trafikantëve nga Shqipëria në Ekuador. Në një artikull të El Universo, thuhet se përgjithësisht mafiet europiane e komandojnë trafikun e drogës që nga Ekuadori, madje ka raste dhe nga qelitë e burgut. Sa u përket shqiptarëve, El Universo shkruan në artikull se, kanë shkuar në vendet e Amerikës Latine që në vitin 2001, me qëllim trafikimin e drogës të prodhuar nga kartelet. Atë kohë shqiptarët kishin vetëm rolin e ndërmjetësve në trafik pasi tregu i kokainës kontrollohej nga mafia e Italisë. Me kalimin e viteve, trafikantët ballkanikë, mes tyre dhe ata shqiptarë fiuan terren në Amerikën Latinë dhe filluan kontrollin e hyrje-daljeve në porte për lëndën narkotike.

Ekuadori u kthye në një vend të preferuar për trafikimin e kokainës për shkak se kontrolli në kufijtë e këtij shteti është në nivele të dobëta. Po ashtu sistemi gjyqësor i Ekuadorit paraqitet i dobët dhe plot të meta. El Universo vazhdon artikullin duke thënë se gjithashtu ekonomia e dollarizuar lejonte pastrimin e parave të drogës nëpërmjet investimeve. Që nga viti 2008, krerët e këtyre grupeve kriminale kanë rritur numrin e marrëveshjeve mes prodhuesve të drogës në Amerikën Latine dhe trafikantëve europianë. Ish-drejtori i inteligjencës ushtarake dhe analist ndërkombëtar i sigurisë dhe mbrojtjes, Mario Pazmino sa i përket kthimit të Ekuadorit në një vend të preferuar për trafikimin e kokainë, shikon si arsye fqinjësinë me Kolumbinë. Gjë e cila pohohet dhe nga zëvendësdrejtori kombëtar i Hetimit të Policisë së Antidrogës, Byron Ramos. Pazmino në një intervistë për mediat ekuadoriane është shprehur se sipas burimeve të Inteligjencës, rreth 37.5% e kokainës që prodhohet në Kolumbi kalon përmes territorit të Ekuadorit për t’u trafikuaër më pas. Kjo përqindje përkthehet në rreth 700 ton kokainë, nga të cilat janë kapur vetëm 200 ton, thotë Pazmino. Pjesa tjetër vazhdon të tregtohet përmes Ekuadorit si vend tranzit. Më pas droga kryesisht shkon drejt Europës, por gjithashtu dhe në Brazil dhe Venezulelë. Në mediat e Ekuadorit citohet gjithashtu fakti që përgjatë 3 viteve, 2016-2019 në Shqipëri janë kapur rreth 1 ton drogë të ardhur nga Ekuadori. Detaje në lidhje me mafien e huaj në vend ka dhënë dhe prokurori i Guayaquil, Cesar Pena. Prokurori deklaron se 7 vitet e fundit ka hetuar gati një duzinë me të huaj, mes tyre shumë persona nga Ballkani. Gati të gjithë ballkanasit është shprehur Pena i ka hetuar për trafik droge. Kontrolli i emigrantëve nga pjesa lindore e Europës kryesisht është një sfidë për shtetin amerikano-latin, dhe për këtë arsye është kërkuar aleancë me Kombet e Bashkuara. Po ashtu prokurori tha se një pjesë e shqiptarëve që janë në Ekuador, mbahen penga nga kartelet që shesin drogën.

Si funksionon krimi i organizuar në Ekuador?

Mediat e Ekuadorit kanë publikuar se si funksionon hierarkia e krimit të organizuar në vend, në formën e një piramide. Në bazë të piramidës qëndrojnë bandat kriminale, më pas janë megabandat që janë bandat me më shumë se 50 persona. Megabandat, pasohen nga kartelet, më pas vijnë grupimet e quajtura protomafia dhe në krye të piramidës qëndron mafia. Sa i përket mafias shqiptare në Ekuador, Byron Ramos është shprehur në një intervistë se është një mafia shumë solide si dhe shumë e dhunshme. Zëvendësdrejtori kombëtar i Hetimit të Policisë së Antidrogës ka thënë në intervistën e tij se mafia shqiptare dhe ajo kolumbiane kanë një bashkëpunim të ngushtë mes tyre.

Vrasjet e shqiptarëve në Ekuador

Janë disa raste ku në Ekuador janë ekzekutuar shtetas shqiptarë dhe shkak dyshohen prishjet e pazareve të drogës. Kolonel Byron Ramos shprehet se duke qenë se tregu më parë drejtohej nga italianët dhe më pas ishin shqiptarët ata që u zunë vendin, solli konflikte mes mafies italiane dhe asaj shqiptare. Për këtë shkak thotë Ramos, ekzekutimet e shqiptarëve në vendin amerikano-latin janë kryer nga mafiozë. Numri i mafias shqiptare në Ekuador është i vështirë të identifikohet, ka thënë zëvendësdrejtori i Antidrogës. Ajo çka e vështirëson është karakteri solid i mafias shqiptare dhe fakti që përpiqen në maksimum të shmangin vëmendjen. Trafikantët shqiptarë të vendosur në shtetin amerikano-latin, e nisin drogën nga vendi ku jetojnë në drejtim të vendlindjes. Duke pasur parasysh këtu dhe faktin që janë të shumta rastet kur në kontejnerët me banane të ardhur nga Ekuadori në Shqipëri janë gjetur sasi droge të llojeve të ndryshme. Rasti i fundit i vrasjes së një shqiptari në Ekuador është ai i Ergys Dashit më 21 janar të 2022. Ndërsa më parë në këtë shtet kanë gjetur vdekjen shqiptarë të tjerë si Adriatik Tresa më 20 nëntor të vitit 2020. Një javë përpara se të vritej, Tresa i kishte shpëtuar një rëmbimi, por nuk mundi t’i shpëtonte atentatit. Katër persona të veshur me uniforma policie kanë shkuar në banesën e Tresës duke paraqitur një mandat kontrolli për banesën. Në momentin që janë përballur me shënjestrën kanë qëlluar ndaj tij me pushkë automatike nga një distancë e afërt. Fadil Kaçaniç u vra së bashku me bashkëshorten në vitin 2018. Ndërsa dy vite para se të ekzekutohej Kaçaniç, u ekzekutua Ilir Hidri. Të gjithë këta shqiptarë janë vrarë në të njëjtin qytet, Guayaquil. Po ashtu dhe shkaku i vrasjeve dyshohet të ketë qenë i njëjti, prishja e pazareve të drogës. Sa u përket personave të vrarë në Ekuador, mediat vendase bëjnë me dije se asnjë prej tyre nuk konsiderohej kokë grupi. Drejtuesit e trafikut sipas asaj që raportojnë mediat, në disa raste gjenden në Dubai dhe e drejtojnë nga andej trafikun e kokainë drejt Europës apo Brazilit. Po ashtu një tjetër emër që lidhet me trafikun e kokainës nga Ekuadori në Shqipëri është ai i Arbër Çekajt, po ashtu dhe Dritan Rexhepi i arrestuar në Ekuador me kokainë.

Go to TOP