LDK-ja e PDK-ja lidhin koalicion në këtë komunë

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka njoftuar se Lidhja Demokratike e Kosovës do të qeverisë bashkë me Partinë Demokratike në këtë komunë për katër vjetët e ardhshëm.

“Sot kam pritur në takim kryetarin e PDK-së, dega në Istog, z. Ali Nimanaj. Si rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta kemi arritur marrëveshje për të qeverisur në Istog për katër vitet e ardhshme. Marrëveshja është nënshkruar mbi parimet e qeverisjes së mirë, transparente e të ndershme, profesionale e në përputhje me ligjet në fuqi dhe do të jetë në funksion të zhvillimit të qytetit tonë dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Komunës tonë”, ka shkruar Ferati në Facebook.

Sipas Feratit, marrëveshja parasheh që PDK-ja, do të udhëheqë Drejtorinë e Bujqësisë, Drejorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorinë e Administratës si dhe do të kenë postin e nënkryetarit.

“Jemi dakorduar po ashtu që bartësit e funksioneve komunale do t’i nënshtrohen mekanizmit të matjes së performancës në periudha një (1) vjeçare. Emërimi dhe prezantimi i të gjithë ekipit tonë qeverisës do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, ka shkruar tutje Ferati.

Go to TOP