Kërkohet shkarkimi i bordit të ZRRE-së, Deliu: Presidente, dilni kërkoni falje
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji “po abuzon me detyrën zyrtare”, sepse tha se po refuzon ta zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me çështjen e shtrenjtimit të rrymës.
Deliu në seancën e sotme të Kuvendit, tha se “një bord normal, së paku do të duhej të jepte dorëheqje”.
“Sot kur po flasim, bordi i ZRRE-së është ankuar në Gjykatën Supreme”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që t’iu kërkojë falje qytetarëve që e mbështeti shtrenjtimin e rrymës.
“Zonja presidente ju e përfaqësoni unitetin e popullit, andaj dilni kërkoni falje”, tha ajo.
Sipas Deliut, bordi i ZRRE-së është i lidhur me kryeministrin Albin Kurti.
Në Kosovë u prit që të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit së fundmi vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja.
Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.
“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, ishte thënë në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit.
Comments