“Kemi ngecur midis Lindjes dhe Perëndimit”, Latifi: SHBA një ditë do të lodhen me ne

Profesori universitar, Blerim Latifi, thotë imazhi i Kosovës në botë dëmtohet seriozisht nga raporti i fundit i Freedom House, ku sipas tij, Kosova tregohet si vend gjysmë-autoritar.

Latifi paralajmëron se Kosova mund të pësojë si Afganistani, nëse siç tha, humbet shansi për demokratizim të plotë.

“Nëse ne e humbim shansin për tu bërë një vend krejtësisht demokratik, krejtësisht i lirë ne kemi me i humb mbështetësit kryesor sepse SHBA, e kemi parë në rastin e Afganistanit se çfarë ka ndodhur. SHBA nuk investojnë më në shtete që s’janë të afta të demokratizohen. Një ditë edhe ata do të lodhen me neve”, tha Latifi .

“Ne duhet të hapim debatin se pse kemi ngecur në këtë stad. Pse kemi ngecur në këtë vendnumërim”, shton Latifi.

“A nuk jemi të zotë, a nuk kemi kapacitete apo edhe nuk po duam që ne të lëvizim nga ky pozicion dhe të bëhemi një vend krejtësisht i lirë. Ku është problemi? A mos jemi duke u ballafaquar edhe me një tendencë edhe më të rrezikshme, të degradimit të mëtutjeshëm, rrëshqitjes në praktika krejtësisht autoritare, ky është debati sot”, tha ai.

“Ne kemi ngecur midis Lindjes dhe Perëndimit. Kur po flas Lindjes kam parasysh regjimet e mëdha autoritare të cilat po përpiqen për të ndryshuar rendin e ri botërorë, po e shohim sot se çka po ndodh në Ukrainë në favor të forcave autoritariste. Ky është problemi i këtij raporti. Ky raport e dëmton seriozisht imazhin e Kosovës, më së pari në SHBA pastaj tek partnerët tjerë të vendeve perëndimore. Kosova mund të mbijetojë si shtet vetëm duke qenë tërësisht demokratike dhe tërësisht e lirë”, theksoi Latifi.

Go to TOP