Katër turistë gjenden të vdekur brenda saunës së një hoteli në Shqipëri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një hotel në zonën e Qerretit në Kavajë, ku 4 persona kanë humbur jetën.

Mësohet se viktimat u asfiksuan për vdekje brenda saunës së hotelit. Rrethanat dhe dinamika e ngjarjes janë të paqarta.

Viktimat janë dy burra dhe dy gra. Ata ishin turistë të huaj, shtetas rusë, të cilët prej 1 jave ndodhen në Shqipëri.

Katër turistët u gjetën të vdekur brenda saunës së hotelit pasi nuk ishin bashkuar me pjesën tjetër të grupit.

Nuk dihet nëse kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur për shkaqe të defektit teknik, për faj të stafit të hotelit apo për shkak të vetë turistëve. Këto dyshime do të sqarohen në vijim nga grupi hetimor që tashmë ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

Çfarë është sauna?

Sauna është një dhomë e vogël me sistem ajri të nxehtë e cila shërben për pastrim dhe rifreskim të trupit. Sauna përdoret nga njerëzit me qëllime relaksi. Gjithashtu ndihmon për dhimbjet muskulore, kardiovaskulare duke çliruar muskujt e trupit. Përdorimi i alkoolit dhe drogërave përpara ose gjatë seancës së sauna mund të jetë e rrezikshme. Nëse keni ndonjë sëmundje nuk duhet të përdorni sauna dhe duhet të konsumoni ujë për të shmangur dehidratimin.

Go to TOP